I dyshuari për sulmet e Parisit para gjykatës në Belgjikë në masa të rrepta sigurie

I dyshuari për sulmet e Parisit para gjykatës në Belgjikë

I vetmi i dyshuari i mbijetuar nga sulmet terroriste në Paris në vitin 2015 do të dalë sot para gjykatës në Belgjikë nën masa të rrepta sigurie.

Salah Abdeslam u kap në Bruksel katër muaj pas sulmeve.

Akuzat me të cilat ai përballet nuk janë të lidhura me ngjarjet në Paris, por me një përplasje me armë me policinë belge ndërsa ishte në arrati.

Sulmet e personave të armatosur dhe bombarduesit vetëvrasës në një sallë koncerti në Paris, stadium, restorant dhe bare lanë 130 persona të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.

Ndër sulmuesit ishte vëllai i Abdeslam, Brahim, i cili vdiq në një shpërthim vetëvrasës jashtë një kafeneje.

Prokurorët francezë besojnë se Salah Abdeslam, 28 vjeç, gjithashtu luajti një rol kyç në sulme, por ai nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit.

Ai nuk pritet të dalë në gjyq në Francë përpara 2020.

Pas sulmeve, Salah Abdeslam u bë njeriu më i kërkuar në Evropë dhe përfundimisht u fsheh në një banesë në lagjen e tij Molenbeek në Bruksel.

Në hapjen e gjyqit të hënën, Abdeslam dhe bashkëpunëtori i dyshuar Sofian Ayari 24 vjeç, përballen me akuzat për posedimin e armëve të paligjshme dhe tentativën për vrasje të oficerëve të policisë në një kontekst terrorist.

Të dy luftuan një betejë me armë me oficerët që bastisën banesën ku ishin fshehur në kryeqytetin belg. Nëse shpallen fajtorë ata përballen me një dënim prej 40 vite burg.

Abdeslam, një shtetas francez i lindur nga prindërit marokenë në Bruksel, është mbajtur në një burg afër Parisit. Raportet thonë se ai është larguar nga burgu për në Bruksel i shoqëruar me roje të armatosur.

Deri në 200 policë do të ruajnë gjykatën gjatë gjykimit.

EMISIONET