Një 44-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, është vënë në pranga nga policia, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Kapja dhe arrestimi i tij u krye nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

''Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana dhe Departamentin e Policisë Kriminale, bënë të mundur lokalizimin në lagjen "Pavarësia", Vlorë dhe arrestimin provizor të shtetasit shqiptar A. Z., 44, vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë'', thuhet në njoftimin e policisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Brescias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga ligji italian dhe Dekreti i Presidentit Italian për Drogat.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale "Trafikimi i Narkotikëve".

/Ora News.tv/