Hoxha i kërkon Vlahutin rikthimin e dënimit me vdekje, Ambasadorja: Nuk pranohet nga BE

Hoxha i kërkon Vlahutin rikthimin e dënimit me vdekje, Ambasadorja:

Një imam në Lezhë ka bërë një kërkesë të pazakonte publike duke kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje. Imami këtë kërkese ia bëri ambasadores së BE, Romana Vlahutin, duke i thënë se nëse BE do të bënte përjashtim për vendin, do të lobonte që propozimi të shkonte në parlament. Vendi ka 26 vite që ka hequr dënimin me vdekeje dhe BE lobon fuqimisht për heqjen globale të dënimit me vdekje.

Kanë kaluar 26 vite, nga ekzekutimi i fundit i dënimit me vdekje në Shqipëri. Ekzekutimi i fundit është ai i vitit 1992 në Fier, ku dy vëllezër u vranë në mes të qytetit pasi kishin vrarë kur po grabisnin brenda në shtëpinë e viktimave, 5 pjestarë të një familje, përfshi një foshnje.

Pamjet në video i përkasin periudhës së diktaturës për pushkatimet, edhe pa gjyq, të rreth 6 mijë personave.

Shqipëria që nga viti 1995 kur u bë anëtare e Këshillit të Europës nuk ka dhënë dënime me vdekje dhe për veprat më të mëdha penale vendimi është shndërruar në "burgim të përjetshëm".

Por sot, kur vendi është i prekur nga dramat sociale si vrasje, përdhuime dhe abuzime seksuale tek femijët, vjen një propozim i papritur por publik i një imami  drejtuar ambasadores Valhutin. Imami  i Lezhës, Agim Tereziu, kërkon rikthimin e dënimit me vdekje.

E di që kjo bie ndesh me politikat e BE, por thotë se për Shqipërinë mund të bëhet përjashtim dhe nëse do të kishte "ok" e Ambasadores, do të lobonte fort që kërkesa të shkonte si propozim në parlament.

Agim Tereziu: Duke përfituar nga rasti që kemi dhe Vlahutin sot dua ti jap një sugjerim mjaft të rëndësishëm lidhur me integrimin e Shqipërisë. Sa i takon dënimit me vdekje, akoma e ndjej atë dhimbjen e familjes Buci në Kamëz dhe dhimbjen e babait të atij djalit që u bë vrasës. Shqipëria është një rast i veçantë dhe në komunitetin europian duhet të pranohet si rast i veçantë, duke bërë këtë lëshim. Nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhë dhe shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin prej më shumë se dy dekadash, këtë kisha unë si sugjerim. Nëse ju jepni dritën jeshile, ne si komunitet mysliman dhe OJQ-të do të lobojmë tek parlamenti që kjo të kalojë. Por nëse jepet drita jeshile prej jush.

Foli në emer të Komunitetit Mysliman, por ky i fundit i tha Ora News se kjo është vetëm një deklaratë dhe një qëndrim personal dhe përjashtuan mundësinë që të ishte propozim institucional.

Ambasadorja Vlahutin, i kërkoi të besonte në shtetin e së drejtës, në ligj dhe në institucionet e së drejtës për të cilën po punohet dhe se nuk mund të flitet për përjashtime.

Romana Vlahutin: Ky është një sugjerim që bëhet por duhet të dini se ka disa vlera themelore që do të thotë, jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës për të cilin ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë.Është diçka për të cilin ne po punojmë fort që ju ta shihni se është i pranishëm, që ju ti besoni këtij shteti të së drejtës por në asnjë mënyrë nuk ka asnjë rast "sui generis" që të mund të pranohet dhe dënimi me vdekje është diçka që nuk pranohet nga BE.

Në Shqipëri, kur opinioni publik tronditet nga ngjarje të rënda, siç ishte dhe ai i rastit të fundit në Kamëz në familjen Buci, qytetarët që janë sensibilizuar me fatkeqësinë e familjen kanë artikuluar rikthimin e dënimit me vdekje.

Heqja globale e dënimit me vdekje është një nga objektiva kryesore të politikës së të drejtave të njeriut të BE-së.

Në vitin 2013, Ministrat e Jashtëm të 42 vendeve të botës, përfshirë dhe Shqipërinë, firmosën deklaratën kundër dënimeve me vdekje, por aktualisht 52 shtete kanë ende në fuqi ligjin e ekzekutimeve.

Bjellorusia është shteti i vetëm në Europë që ka në fuqi dënimin me vdekje.

Ndër 52 vendet, përfshihen edhe katër vende të industrializuara që vijojnë ende të ekzekutojnë kriminelët: SHBA, Japonia, Singapori dhe Tajvani.


EMISIONET