Hong Kong, 2 milion protestues kundërshtojnë nismat e qeverisë

Hong Kong, 2 milion protestues kundërshtojnë nismat e qeverisë

Protestuesit u mblodhën sërish në rrugët e Hong Kongut për të kërkuar anulimin e përhershëm të projektligjit për ekstradimin në Kinë dhe dorëheqjen e guvernatores së rajonit. Shumë protestues janë të shqetësuar nga rritja e ndikimit të Pekinit në Hong Kong. Protesta ishte paqësore dhe organizatorët thanë se ajo mblodhi rreth dy milionë vetë.

Qindra e mijëra vetë protestuan në Hong Kong të dielën kundër projektligjit të ekstradimit të të dyshuarve drejt Kinës, pavarësisht se diskutimi dhe miratimi i tij janë pezulluar paafat.

Protestuesit të cilët ishin më të shumë në numër se herën e kaluar, kërkojnë që projekti për ligjin i cili do të mundësojë ekstradimin e kriminelëve të dyshuar nga Hong Kongu në pjesën kontinentale të Kinës të anulohet tërësisht.

Protesta e re detyroi guvernatoren e rajonit, Carrie Lam, të kërkojë falje të dielën për "konfliktin dhe mosmarrëveshjet" e shkaktuara nga diskutimi i këtij projektligji.

Shumë protestues, të shqetësuar nga rritja e ndikimit të Kinës në Hong Kong po kërkojnë gjithashtu edhe dorëheqjen e zonjës Lam. Protesta e së dielës ishte paqësore, ndryshe nga ajo e së mërkurës së kaluar që solli përplasjen e policisë me protestuesit dhe shkaktoi dhjetëra të plagosur.

Fillimisht protestuesit të veshur me bluza të zeza dhe me lule të bardha në duar, u mblodhën në sheshin Viktoria.

Vonë në mbrëmje sipas orës vendore të Hong Kongut, organizatorët llogaritën se të paktën dy milionë vetë morën pjesë në protestë.

Protestuesit ecën me ngadalë dhe bllokuan shumë rrugë dhe stacione metrosh.

Shumë vetë mbanin lule të bardha në duar, një simbol për të nderuar kujtimin e një protestuesi që ra nga lartësia e një ndërtese ndërsa po përpiqej të vendoste aty një pankartë me thirrje kundër projektligjit për ekstradimin.



EMISIONET