“Historia e falsifikuar nga komunizmi duhet rrëzuar përtokë. Por edhe ata që ekzagjerojnë për përfitime…”

“Historia e falsifikuar nga komunizmi duhet rrëzuar

Sot (dje) lexova një interv istë të Pëllumb Xhufit në lidhje me debatin e këtyre ditëve për krimet e Luftës mes Institutit të Krimeve të Komunizmit dhe skalionit të shërbëtorëve të diktaturës, që fatkeqësisht kontrollojnë jetën politike dhe ekonomike e historike të vendit edhe sot.

Nuk kam hyrë në këtë debat për arsye të gënjeshtrave dhe manipulimit nga të dyja krahët për përfitime politike apo shpërdorime politike apo financiare.

Shqipëria po vuan, pikërisht mossinqeritetitn e një përplasjeje të fortë të një debati të shëndoshë për shoqërinë për t’u ndarë nga e keqja dhe për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të sinqertë.

Shërbëtorët, ish-prokurori Spartak Braho apo ambasadori Tarifa, që u largua nga Uashingtoni për vjedhje të fondeve të Ambasadës, Sabit Brokaj apo Vukaj, kapen fort pas Luftës Nacionalçlirimtare për të justifikuar krimet e tyre gjatë regjimit komunist dhe shërbesat e tyre në funksion të sundimit kriminal.

Në qoftë se ka diçka që duhet rrezuar përtokë nga regjimi komunist është pikërisht historia e falsifikuar dhe e shkruar krejt në mënyrë të njëanshme sipas fituesve të Luftës, komunistëve. Dhe jo vetëm historia e Luftës, por edhe kjo pas luftës deri në 1990, dhe më pas edhe kjo ku jemi vetë dëshmitarë, e pas 1990 e deri më sot. Vazhdon kjo luftë ende sot, me dy forca që tërheqin litarin në drejtime të kundërta me të njëjtën logjikë komuniste. Sot është manipuluar shumë me të persekutuarit.

Janë futur e zihen në një kazan të persekutuarit politikë e dinjitozë, me ata që akuza politike iu vu pas akuzave për krime ordinere. Për të gjitha këto, fajtor është regjimi komunist me veglat e prokurorëve si Spartak Braho. Por edhe ata që sot gënjejnë, trillojnë dhe ekzagjerojnë për përfitime statusesh të një loje tashmë dalë boje, për të ngritur shoqata e marrë fonde dhe nga jashtë dhe për t’i përdorur si tallava, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se inflacionojnë dhe zhvlerësojnë sakrificën dhe bindjen, moralin e atyre që janë për t’u mbajtur si modele të një shoqërie.

Kultura e gënjeshtrës ka zvenitur deri në neveri gjithçka në shoqërinë shqiptare. Si atë politike, historike, letrare, artistike dhe të persekutimit. Pas 30 vjetësh, kjo kulturë vazhdon e rritet duke e lënë gjithë shoqërinë në një rreth vicioz dhe të paaftë për të ngritur shtet. Kjo sepse nga kultura e gënjeshtrës dhe manipulimit përfitojnë vetëm të paaftët dhe Jagot e gënjeshtarëve të “aftë”.

Këto ditë ishte përvjetori i vrasjes së dy gazetarëve Vangjel Lexho dhe Fadil Kokomani si simbole të kurajës qytetare dhe gazetarisë, pavarësisht bindjes së tyre të majtë. Nuk është krim të jesh i majtë. Nuk u kujtua kurrkush t’i kujtonte ata, nuk kanë ende një bust diku në Tiranë, në një kohë që kemi ngritur monumente dhe buste spiunësh e rrugaçësh e kontrabandistë armësh të demo(n)kraturës se postokumunizmit. Në një kohë që nderojmë me emra rrugësh dhe “Ndere Kombi” kriminelë të Luftës dhe të diktaturës.

Ja pse letra e tyre, drejtuar Enver Hoxhës nga burgu, gjë për të cilën dhe u pushkatuan, tregon se psikologjia e shoqërisë dhe sunduesve të saj nuk ka ndryshuar. Letra fillon: Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (“për flamurin” “për atdheun” “për trojet e shenjta” etj., etj), ai as nuk ka vdekur dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar.

Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet “mendimit” dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky “mendim” permanent dhe politik – bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti.

Krim është të bësh krime dhe të mbulosh krimet, siç bëjnë Braho, Tarifa, Brokaj, Vukaj etj. Këtë bëri sot Xhufi me shifrat e viktimave dhe krimeve që ka shkaktuar nazifashizmi dhe komunizmi kur shkruan: “Në fakt, a ka të çmendur të besojë se regjimet komuniste të Europës, sado mizore të kenë qenë, kanë ekzekutuar më shumë se dyfishin e numrit të ekzekutuar nga nazifashistët, kur dihet se gjatë Luftës II Botërore vetëm rusë e hebrenj u shfarosën më shumë se 28 milionë vetë! Po polakë? Po çekë? Po shqiptarë? Po jugosllavë?”.

Po, jam unë i çmendur! Vetëm Stalini, gjatë sundimit tij, vrau 20 milionë rusë. Ndërsa në të gjitha regjimet komuniste që konsiderohen kohë paqeje dhe jo lufte, kanë vrarë afër 100 milionë njerëz. Në qoftë se Pëllumb Xhufit kjo i duket shifër e pakonsiderueshme, është problemi i tij.Gjatë Luftës së II Botërore janë vrarë rreth 60 milionë dhe 30 milionë kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga lufta. Diferencat le t’i bëjë Pëllumb Xhufi!

EMISIONET