Policia e Shkodrës ende s kanë një të ndaluar për sulmin me tritol që tronditi mëngjesin e së shtunës këtë qytet, duke lënë të plagosur 8 persona, 3 prej të cilëve në gjendje të rendë. 

Deri më tani në komisariatin e policisë janë shoqëruar vetëm dëshmitarë në vendngjarje, që janë marrë në pyetje mbi momentin e shpërthimit, por të gjithë më pas janë të lënë të lire, pasi nuk rezultonin në listën e të dyshuarve.

 Ajo që për policinë e Shkodrës pritet të jetë ndihma më e madhe në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autoreve, janë pamjet e sigurisë të disa objekteve përreth godinës ku ndodhi shpërthimi.

Ekspertët po bëjnë këqyrjen e imtësishme të tyre, ndërsa paralelisht po verifikohen të gjitha telefonatat e bëra në këtë zonë në orarin që përkon me shpërthimin. Tabulatet mund të jenë ndihmë shtesë, pasi shpërthimi i telekomanduar mund të ketë ardhur nga një numer i regjistruar, edhe pse egziston rreziku i kundërt, që edhe këtë herë të jetë përdorur një numër i blerë në tregun e zi. 

Hetime ka edhe për pronësinë e motoçikletës ku u vendos tritoli dhe pritet të identifikohet nga pamjet personi që e ka vendosur në hyrje të godinës dhe afër mjetit që është në pronësi të të plagosurit. Për të mbështetur hetimin prej ditës së shtunë në Shkodër u vendos një grup i specializuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa në mbrëmje qëndroi edhe drejtori i Komanduar Rebani Jaupaj. 

Ai mësohet se gjatë takimit me krerët lokal të Shkodres ka dhënë porosi të prera për ta hetuar në detaje ngjarjen, e për të vënë para përgjegjësisë autorët, pasi kemi të bëjmë me një akt kriminal që mund të kishte rezultuar me pasoja shumë herë më të rënda. 

Dyshimet e para të policisë e ku është përqendruar hetimi kryesor, ka të bëjë me të plagosurin Lulzim Kulla, një person i skeduar më herët nga uniformat blu. 42 vjeçari dyshohet se ka qënë objektiv i atentatit bëjnë me dije burime policore. 

Ai aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë ku po merr mjekim të specializuar. Të plagosurit e tjerë që ishin në spitalin e Shkodrës, kanë lënë këto mjedise pasi plagët e marra kanë bënë të lehta. 

Ndërkohë në zonën ku ndodhi atentati, sot situata ka ndryshuar dhe ka nisur rikthimi i normalitetit, ndonëse fryma e frikës është prezente!

/Ora News.tv/