Hekurudha Tiranë-Durrës, hapet faza e parë e parakualifikimit për kompanitë
Hapet faza e parë e parakualifikimit për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës së re nga Tirana në Rinas. Qeveria shqiptare fton të gjitha kompanitë e interesuara për zbatimin e projektit, të dorëzojnë dokumentat deri në fund të majit. Kostoja totale e projektit llogaritet 90.5 mln euro, nga të cilat 36.9 mln euro do të financohen nga BERZH dhe pjesa tjetër nga BE.
Qeveria shqiptare ka hapur fazën e parë të parakualifikimit të kompanive për zbatimin e projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës.
Të gjitha kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në këtë projekt kanë afat që të dorëzojnë aplikimet dhe dokumentat e nevojshme deri në 31 maj të këtij viti.
Projekti parashikon rehabilitimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe zgjatimin e një linje deri në Vorë e cila do të shërbejë për lidhjen me aeroportin 'Nënë Tereza'.
Kostoja totale e projektit llogaritet 90.5 milionë euro nga të cilat 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant nga Bashkimi Europian me 35.4 milionë lekë.
Ndërsa vlera e TVSH-së dhe kostot lokale parashikohen që të mbulohen nga qeveria.
Linja hekurudhore Tiranë-Durrës vlerësohet me një volum të konsiderueshëm transporti pasi lidh kryeqytetin me portin e Durrësit, i cili është më i madhi në vend përsa i përket volumit të përpunimit të mallrave.
Ndërsa zgjatimi deri në Vorë shihet si një nyje e rëndësishme pasi do të lidhë aeroportin me kryeqytetin dhe me Durrësin.
Gjatë punimeve për realizimin e këtij projekti parashikohet të punësohen rreth 1 mijë e 300 punonjës .
Ndërsa përfundimi i punimeve parashikohet të jetë 30 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Hekurudha Tiranë-Durrës është ndërtuar në vitin 1951 dhe është rehabilituar në '96.
Duke vlerësuar terrenin ku kalon hekurudha, në dokument parashikohet që ndërhyrja në hekurudhë të lejojë lëvizjen e trenave me shpejtësi deri në 100 km në orë.
