Hasan Lika largohet nga Vllaznia

Hasan Lika largohet nga Vllaznia

Trajneri Hasan Lika mbyll aventurën me Vllazninë dhe largohet për arsye emigrimi në SHBA.

Dita e sotme ka qenë e fundit për Hasan Likën në drejtimin e Vllaznisë. Pas stërvitjes së paradites, ishte vetë Lika që i ka komunikuar skuadrës këtë largim për arsye emigrimi. 

“Ishte një periudhë shumë e mirë për mua në drejtimin e Vllaznisë. Edhe pse në Kategorinë e Parë, unë e pranova ofertën e drejtuesve të saj, të cilët i falenderoj për bashkëpunimin e sinqertë që patën me mua. Më vjen keq nga ky largim, por këto ishin kushtet e mia familjare. Në fundin e këtij muaji më skadon viza për në Amerikë. Vllaznisë i uroj suksese në Kategorinë Superiore”, deklaroi Hasan Lika pas largimit nga stoli i Vllaznisë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë klubi kuqeblu, që përmes një komunikate për shtyp ka pohuar ndërprerjen dypalëshe të kontratës.

"KF Vllaznia bën të ditur se që nga dita e sotme Hasan Lika nuk do të jetë më trajner i ekipit të parë. Me kërkesën e vetë trajnerit, kontrata dypalëshe është ndërprerë për aryse se z.Lika bashkë me familjen e tij pas pak ditësh do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të jetuar atje tashmë. Në këtë mënyrë, KF Vllaznia duke parë ecurinë e mirë të skuadrës e cila ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivit, vendosi që të mos e pengojë për të ardhmen e tij.

"KF Vllaznia e falenderon z.Lika për kontributin e tij në krye të skuadrës gjatë kësaj periudhe duke marrë parasysh momentin e vështirë kur e mori drejtimin e saj, megjithatë falë punës së tij dhe të futbollistëve, ekipi tashmë është shumë pranë arritjes së objektivit, daljes në Superligë. Brenda një periudhë shumë të shkurtër, KF Vllaznia do të bëjë publik edhe emrin e trajnerit të ri që do të angazhohet për drejtimin e skuadrës së parë deri në fund të sezonit."-thuhet në njoftimin e klubit Vllaznia.


EMISIONET