Nisma e kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj për të zëvendësuar flamurin kombëtar me atë shtetëror në rrethin e Prishtinës, ka shkaktuar tensione me qytetarët. Ata paralajmëruan protesta kundër këtij vendimi, ndërkohë që kryeministri argumenton se vendosja e simbolit shtetëror tregon respektin për Kosovën në prag të 10-vjetorit të pavarësisë.

Një simbol hiqet, një tjetër vidhet. Ka shkaktuar kaos heqja e flamurit kombëtar shqiptar mbrëmjen e së martës dhe vendosja e atij shtetëror në rrethin e Prishtinës, vendim i kryeministrit Ramush Haradinaj, por i kundërshtuar nga shumë qytetarë.

Është kërkuar ndërhyrja e policisë që simboli kombëtar të zëvendësohej, por forcat zjarrfikëse të angazhuara kanë pritur gjatë për të vendosur simbolin shtetëror. Kjo sepse, në rrethana të pashpjegueshme, është vjedhur flamuri i Kosovës dhe është dashur të pritet sjellja e një tjetri.

Megjithatë peripecitë nuk përfunduan me kaq. Sipas Gazetës Express, flamuri është zëvendësuar sërish mëngjesin e sotëm me një tjetër me përmasa më të mëdha se ai i vendosur një ditë më parë.

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me këtë vendim, ndërkohë që kanë paralajmëruar edhe protesta pranë rrethit të Prishtinës, për të kërkuar rivendosjen e flamurit shqiptar. Sidoqoftë, në një qëndrim të shprehur përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, kryeministri Haradinaj nënvizoi se vendosja e simbolit të shtetit tregon rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe respektin për Kosovën, në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë.

/Ora News.tv/