Haradinaj shmang komentet për vendimin e dorëheqjes

Haradinaj shmang komentet për vendimin e dorëheqjes

Dy ditë pasi vendosi të largohej pa kthim nga kryeministri i qeverisë, Ramush Haradinaj, është shfaqur sërish për publikun.

Ai shmangu deklaratat politike gjatë një ceremonie me rastin e zbulimit të shtatores së heroit, Sheh Myhedin Shehu, në Rahovec, duke u mjaftuar me një status të mëvonshëm në Facebook, ku theksoi se veprat në shërbim të atdheut dhe të sovranitetit të Kosovës duhet të jenë frymëzim për cilindo.

Largimi i befasishëm i Haradinajt ka mobilizuar faktorët politikë vendës nga opozita dhe shumica qeverisëse.

Në pritje të qëndrimit zyrtar të presidentit, Hashim Thaçi, në lidhje me propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, partitë PDK, LDK dhe Vetëvendosje shprehen gati për një garë të re elektorale.

Këtë gatishmëri e konfirmoi një ditë më parë edhe aleati kryesor politik i Haradinajt nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Veseli: Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatëshme për zgjedhje kurdo që të caktohen ato.

Kategorikë për zgjedhje të reja shprehen edhe opozitarët e Vetëvendosjes, që konsiderojnë se ato do i kthenin legjitimitetin politik qeverisë.

Ndërsa në partinë më të madhe të opozitës, ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu është rikthyer në skenë si rival për kryesinë e saj, duke siguruar se partia e tij ka kapacitetet për të drejtuar qeverisjen e vendit.

Ndërkohë mbetet e paqartë nëse Kosova zyrtare do i qëndrojë pozicioneve të palëkundura të kryeministrit Haradinaj për çështjet si tarifat ndaj Serbisë apo ruajtja e kufijve ekzistues.

Në një deklaratë për "Zërin e Amerikës", kryediplomati i Malit të Zi, Srdan Darmanoviç, tha se dorëheqja e Haradinajt do i japë më shumë hapësirë veprimi presidentëve të dy vendeve, Thaçi dhe Vuçiç, të akuzuar më herët si komplotistë që kërkojnë ndarjen e Kosovës.

EMISIONET