Haradinaj reagon pas incidentit në Prizren: Dy zgjidhje kanë qenë, ose policia ose unë...

Haradinaj reagon pas incidentit në Prizren: Dy zgjidhje kanë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka arsyetuar sot veprimin e një dite më parë kur tërhoqi për krahu një zonjë gjatë një ceremonie për nder të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Ai nxiti regime të shumta pasi që e largoi nga foltorja një grua, që sipas autoriteteve kishte shkelur rregullat e manifestmit, derisa po shënohej përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, një Kuvend i vitit 1878, kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane.

Kryeministri Haradinaj tha të hënën se është e papranueshme që në një ngjarje të tillë shtetërore të flasin njerëzit e paftuar.

“Dy zgjidhje kanë qenë, ose policia ose unë. Unë nikoqir, zot shtëpie kam qenë dhe deri sa të jem në këtë detyrë askush nuk do të mund t’i nëpërkëmbë ngjarjet që i organizon shteti i Kosovës. Pse e kam marrë këtë rol ka qenë duke shpresuar se do të kalojë me më pak problem se po ta kishin kapur policia kushedi se si do kishte shkuar”, ka thënë Haradinaj.

Zoti Haradinaj këtë situatë e cilësoi si dështim të organizimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili sipas tij nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm.

Më vjen keq që të gjithë ata që është dashur të reagojnë në ato momente nuk kanë qenë në nivel të detyrës së tyre fatkeqësisht. Duhet të ju vijë turp edhe protokollit, edhe organizatorëve edhe policisë edhe çdokujt”, tha zoti Haradinaj.

Përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që llogaritet si një nga ngjarjet kryesore të historisë shqiptare, u shënua dje me një varg aktivitetesh në qytetin e Prizrenit./VOA

EMISIONET