Haradinaj i ndalon presidentit serb vizitën në Drenicë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lajmëruar tërheqjen e vendimit për lejimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të vizituar zonën e Drenicës.

"Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë", shkruan Haradinaj në Facebook.

Vendimi vjen pasi protestues të shumtë nga Drenica dhe Skënderaj bllokuan rrugën duke mos lejuar kalimin e Vuçiçit për në fshatin Banjë, ndërsa mediat serbe informojnë se presidenti serb ka shkuar atje në rrugë dytësore.

Presidenti serb, Vuçiç ndodhet që prej ditës së djeshme në Kosovë.

Nën masa të rrepta sigurie, ai mbërriti rreth orës 14:30 përmes pikës kufitare në Bërnjak, në komunën veriore të Zubin Potokut.

“Kam ardhur të flas këtu për idenë tonë që të vendoset paqe për një kohë shumë të gjatë. Është koha që të flasim me shqiptarët me më shumë respekt dhe të shohim nëse mund t’i përmirësojmë raportet”, ka thënë Vuçiç.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për investimet e mëdha që ka bërë qeveria e Sebisë tek Liqeni i Ujmanit.

“Për ne është i një rëndësie të veçantë. Njerëzit nuk mund të mbijetojnë pa të. Përmes këtij liqeni mund të shihen ndasitë e thella dhe mospajtimet që kemi ndërmjet veti”, ka thënë Vuçiç.



EMISIONET