Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe pranë arkivolit të trupit të pajetë dhe u shënua në librin e zisë, me rastin e ndarjes nga jeta të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, të organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, në librin e zisë shkroi “Fadil ishe i të gjithë neve, të gjithë të nderojmë”.

Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj do të marr pjesë në mbledhjen komemorative në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës (ora 14:00), dhe në varrimin që bëhet në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan (ora 17:00).

Fadil Vokrri ishte njëri prej personaliteteve më të shquara sportive në vend, i cili i dha shumë zhvillimit të sportit në Kosovë, veçanërisht futbollit.

Si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri arriti që Kosovën ta bëjë anëtare të dy organizatave më të fuqishme botërore të sportit, FIFA dhe UEFA.


/Ora News.tv/