Në tre raste policia e Serbisë i ka ndaluar në kufi zyrtarët serbë që punojnë në qeverinë e Kosovës. 

Në vendkalimin kufitar në Medare është ndaluar Nebojsha Jakovljeviq, është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë së pavarur liberale serbe (SLS).  Ky është rasti i tretë që autoritetet e Serbisë ndalojnë zyrtarë të kësaj partie në kufirin Kosovë-Serbi, duke i marrë në pyetje për orë të tëra. 

Reagon Haradinaj- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Haradinaj ka apeluar tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta

"Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm. Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë. Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm.

Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta", ka shkruar Haradinaj.


/Ora News.tv/