Hapi dyqanin e mishit të bllokuar nga AKU, i gjendet edhe mall kontrabandë

Një tregtar mishi në Korçë ka rënë në prangat e policisë për kontrabandë. I arrestuari është Nazar Dvorani, 57 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt të tregëtimit të mishit dhe produkteve të tij që ky shtetas administronte, nga ana e seksionit për krimin ekonomik-financiar në bashkëpunim me AKU-Korçë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 500 kg mish dhe produkte të tij në gjendje të ngrirë me mbishkrime greke.

Policia thotë se "kjo sasi malli dyshohet të jetë kontrabandë".

Po sipas policisë, "me 1 gusht të këtij viti ky subjekt tregtar është bllokuar nga ana e AKU-së, pasi gjatë kontrollit të ushtruar i është konstatuar një sasi prej 350 kg mish në gjendje të ngrirë, e cila ishte jashtë standarteve higjeno-sanitare".

Në vijim si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në lidhje me këtë rast, rezulton se ky subjekt ka vijuar të ushtrojë aktivitetin e tij, duke tjetërsuar sasinë e mallit të konstatuar gjatë kontrollit të datës 01.08.2018 dhe duke e zvendësuar atë me sasinë e mishit prej 500 kg të lartpërmendur, për të cilën ky shtetas nuk dispononte dokumentacionin përkatës.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” .

Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu

EMISIONET