Hapet palestra e re, Veliaj: Duke u marrë me sport bëhemi qytetarë kampionë

Hapet palestra e re, Veliaj: Duke u marrë me sport bëhemi

Në vijim të nismës, shkolla si qendër komunitare, Bashkia e Tiranës çeli dyert e palestrës së re të shkollës, “Dëshmorët e Lirisë”. Sipas kryebashkiakut Veliaj, duke u marrë me sport, nxënësit kanë mundësi të bëhen qytetar kampion.

Veliaj: Fakti që kemi të paktën 5 sporte të ndryshme që gjallërojnë hapësirën e shkollës është diçka shumë e mirë. Jam i sigurt se nuk do të bëhemi të gjithë kampionë, por punë e madhe edhe po s’u bëmë kampionë; rëndësi ka që të jemi qytetarë kampionë! Do të thotë të mësojmë si të luajmë në skuadër, të mësojmë si të humbasim, është pjesë e jetës, të mësojmë si të fitojmë; pra të jemi të përulur kur fitojmë dhe rëndësi ka që të gjithë të bëhemi shokë me njëri-tjetrin.

Veliaj ftoi të rinjtë të bëhen pjesë dhe të mbështesin dy nismat e tjera të Bashkisë së Tiranës, atë për të festuar festat kombëtare të Nëntorit, duke nxjerrë nga një flamur në ballkonin e shtëpisë, si dhe duke mbjellë qoftë edhe një pemë. 

Veliaj: Dua t’u kërkoj një nder: Së pari, dua që për festat e Nëntorit secili në ballkonin ose në dritaren e tij të nxjerrë një flamur për të festuar festat. Imagjinoni nëse e bëjmë këtë në të gjitha njësitë e Tiranës, atëherë përveç bashkisë, i gjithë qyteti do të jetë i dekoruar shumë bukur me flamujt kuq e zi. Së dyti, dua që secili prej jush përpara se të mbarojë dimri, të mbjellë një pemë. Mund ta mbjellë një pemë për ditëlindje, mund ta mbjellë një pemë për gjyshin ose gjyshen, mund ta mbjellë një pemë për qejf, për një festë ose për të kujtuar një ceremoni, por nëse nxënësit e Tiranës do të mbjellin nga një pemë secili, do të kemi më shumë sesa 100 mijë pemë në Tiranë dhe po të kemi 100 mijë pemë çdo vit në Tiranë do të kemi një nga qytetet më të gjelbërta që kemi pasur ndonjëherë.

 

EMISIONET