Hapen zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti

Hapen zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti

Qytetarët e dy prej zonave më të vjetra të kryeqytetit, Njësitë 8 dhe 9, nuk do t’u duhet të presin më në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë ALEAT, kanë hapur zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Aleat, Jean Alain Jouan, inspektuan mjediset e zyrave në fillim të rrugës së “Barrikadave”, tek zona e 9-katësheve.

 “Sot, në fillim të rrugës së “Barrikadave”, hapim këtë zyrë në katin e parë, në mënyrë që qytetarët të mos lodhen për t’i ngjitur deri në katin e tretë, sidomos për njerëzit me aftësi të kufizuar, ose nëna me fëmijë. Në katin e parë, në një sipërfaqe të sheshtë, kemi bashkuar dy njësi bashkë, 8 dhe 9, në një nga rrugët kryesore të Tiranës, shumë afër Unazës së vogël”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen zyrave të reja për të aplikuar në kohë për letërnjoftimet elektronike.

 “Vërtet nuk e kemi ngutin e datës 30 qershor për zgjedhjet apo çështje të përdorimit të kartës brenda vendit sepse e kemi shtyrë vlefshmërinë deri në fund të vitit 2019, ama duhet të kemi parasysh diçka tjetër: Në datën 30 qershor fillon gjithashtu rinovimi i pashaportave të reja, të cilat u dhanë 10 vite më parë. Pra, duam, s’duam ne, do të ketë prapë një fluks tjetër në verë, ndaj tani që i kemi këto kushte të mira dhe tani që njësitë janë çiftuar dyshe-dyshe, duke pasur ambientet dhe poste pune shumë më të mëdha dhe efiçiente, në 4-5 minuta, nuk i kushton askujt asgjë që punën e sotme të mos e lërë për nesër’, tha Veliaj.

EMISIONET