Në prag të ndeshjes ndaj Partizanit, zëvendës trajneri i skuadrës së Kukësit, Rraman Hallaçi, në konferencën për shtyp përpara gazetarëve foli për ndeshjen ndaj të kuqve, mungesën e tifozëve të kësaj përballjeje si dhe për situatën e lojtarëve në skuadër.

“Nuk mund të them që përballja e nesërme është ndeshja vendimtare për të fituar Titullin Kampion, pasi kampionati ka shumë sfida të tjera për tu zhvilluar. Mund të them që është një ndeshje vendimtare për vazhdimësinë, vjen në një moment shumë të mirë për ne pasi arritëm të regjistronim fitore ndaj një kundërshtari pretendent për Titullin Kampion sikurse është Skënderbeu."

"Ndaj skuadrës së Partizanit duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi, nuk dëshirojmë të krijhet distancë në renditjen e tabelës së klasifikimit, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që të shkurtohet kjo distancë. Skuadra e Partizanit sot nuk është e njëjta me atë të kohës kur unë luaja me fanellën e kuqe, pasi kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë. Ne e kemi studiuar shumë ekipin kryeqytetas."

"Skuadra e Partizanit është shumë e kujdesshme, ne jemi në dijeni të mënyrës së si luajnë ata dhe në momentin kur shënojnë dhe dalin në avantazh dhe është shumë e vështirë që të ndryshohet rezultati i ndeshjes. Kukësi dhe Partizani janë dy ekipe ku investohet shumë për të arritur fitimin e Kategorisë Superiore, por kjo nuk do të thotë që ne jemi nën presion, thjeshtë duhet të fitojmë ndeshjen për të shkurtuar diferencën ndaj të kuqve."

"Ndeshjen e kaluar përballë Partizanit prodhuam shumë lojë duke e dominuar ndeshjen por thjesht nuk u treguam të saktë përpara porte. Të kundërtën tonë bënë të kuqtë duke u treguar cinik, sidomos pas shënimit të golit të vetëm të kësaj përballje. Skuadra e kukësit nuk mendon për barazimin sepse vetë investimi dhe serioziteti nuk e lejon që të mendosh të futesh në lojë për një pikë, në fushë do të tregojmë që jemi përgatitur vetëm për fitore. Kemi pasur lëndimë të futbollistëve, por pjesa kryesore është e gatshme për ndeshjen e nesërme."

"Mesfushori francez Chafik do të mungojë si pasojë e një dëmtimi, si dhe gjeorgjiani Dzaria për shkak të numrit të kartonave.Do të ishte bukur që ndeshja të luhej me tifozë, si të Kukësit po ashtu edhe të Partizanit, pasi dihet atmosfera që krijohet gjatë një ndeshje me sportdashës.”-përfundoi Hallaçi.

/Ora News.tv/