Halili nxjerr në ankand Tiranën, "bum" ofertash

Halili nxjerr në ankand Tiranën, "bum" ofertash

Pak ditë pas deklaratës së presidentit të Tiranës, Refik Halili në emisionin "Fair Play", se askush nuk ka dëshirë të blej aksionet e klubit të bardhebluve, dy emra të rëndësishëm të botës së biznesit kanë shprehur dëshirën për tu bërë pjesë e bardhebluve.

Pas Julian Morinës, një tjetër emër i njohur në botën e futbollit është gati të rikthehet te Tirana. Bashkimi bën fuqinë dhe ish-presidenti Lufti Nuri e pranon se nuk mund të rri larg 24 herë kampionëve të vendit, ndërsa ka deklaruar se e meriton edhe ai një stol për kontributin që ka dhënë.

Zëvendës presidenti i FSHF-së njihet për kontributet i tij në sport dhe kryesisht te Tirana, ku ka qënë edhe president i saj. Klubi bardheblu ndodhet në momentin më të vështirë në historinë e saj dhe Halili ka kërkuar investitor për të blerë aksionet e Bashkisë dhe jo vetëm. Borxhet janë kthyer në një problem të madh për klubin.

Pavarësisht se ka shlyer pjesën më të madhe të saj, Tirana ka edhe 800 milion lek të vjetra detyrime. Shitja e aksioneve do të ishte një frymëmarrje për Tiranën në aspektin financiar. Bashkia zotëron 34 % të aksioneve dhe Morina ka pohuar se është i interesuar për t'i blerë të gjitha, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga presidenti Halili.

EMISIONET