Bashkimi Evropian tashmë ka nisur përpjekjet diplomatike për të përshpejtuar hapat që të sigurojë hyrjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok. Deklarata erdhi nga eurokomisioneri Johannes Hahn në një intervistë për Reuters. Ai bëri të ditur se 2025 shihet si një afat i mundshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihen Shqipëria dhe Kosova, megjithatë Hahn bëri të ditur se më të favorizuara janë Serbia dhe Mali i Zi. 

Komisioneri europian Johannes Hahn deklaroi për agjencinë Reuters, se Bashkimi Evropian tashmë ka nisur përpjekjet diplomatike për të përshpejtuar hapat që të sigurojë hyrjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. 

Reuters shkruan se Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shpresojnë të hyjnë në BE, por anëtarësimi i tyre në bllok, është parë me skepticizëm nga këto vend, vitet e fundit pas krizës së eurozonës si dhe pas votimit të Britanisë për tu larguar nga BE.

Duket se interesi i këtyre vendeve po venitet, raporton Reuters. Megjithatë Johannes Hahn shprehet tejet optimist për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe bëri të ditur se Serbia dhe Mali i Zi do ti bashkohen bllokut europian brenda vitit 2025 . Ka ardhur koha të përfundojmë  punën e vitit 1989, tha komisioneri evropian për Reuters, duke iu referuar zgjerimit të BE drejt lindjes që pas rënies së Murit të Berlinit.

"Viti 2018 do të jetë një vit ku do të përdorim vrullin që kemi krijuar dy vitet e fundit, për të hedhur hapa në perspektivën evropiane për vendet e rajonit dhe Presidenti Jean-Claude Juncker ka treguar 2025, si një datë të mundshme për antërësim të secilit vend. Kjo është sa realiste, aq edhe ambicioze dhe varet nga secili prej vendeve kandidate, që duan të arrijnë këtë qëllim. Deri tani Serbia dhe Mali i Zi janë më të favorizurat" , tha Hahn.

Reuters shkruan se rritja e influencës ruse, kriza e emigrimit në rajon, Turqia drejt një sundimi autoritar dhe dëshira për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në 2019, i kanë dhënë Ballkanit një mundësi tejet të mirë për hyrjen në BE. Ndërkohë në intervistën e tij eurokomisioneri Hahn zotohet se BE do të luftojë për më të mirën e rajonit.

"Ose ne do të eksportojmë stabilitet në rajon, ose do importojmë paqëndrueshmëri nga Ballkani. Procesi i pranimit të BE është mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kërcënimin e autoritarizmit në rajon. Unë shpresoj se kjo është një thirrje zgjimi për politikanët përgjegjës. Unë kërkoj nga vendet që të kuptojnë se bashkëpunimi është e vetmja rrugë për të ecur përpara" , deklaroi komisioneri Hahn.

Nga ana tjetër agjensia e lajmeve Reuters parashtron në artikullin e saj problematikat me të cilat hasen 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke renditur sistemet bankare dhe gjyqësore tejet të dobëta, konfliktet etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë, Bosnja që mbetet thellësisht e ndarë, Serbia që nuk njeh pavarësinë e Kosovës e ndësra Mali i Zi ishte zhytur në krizë politike në 2017, shkruan Reuters.

Hahn rokonfirmoi se Strategjia e BE-së është që Serbia dhe Kosova të arrijnë një normalizim të marrëdhënieve deri në fund të vitit 2019. Ndër të tjera eurokomisioneri për çështjet e Ballkanit, tha se vrasja e udhëheqësit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç tregoi paqëndrueshmërinë e rajonit.


/Ora News.tv/