Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha të premten se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe Serbia duhet t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente në Helsinki ku të premten ministrat e BE-së takuan ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari Hahn tha se rezultati i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është element thelbësorë për ardhmërinë evropiane të rajonit. Ai shfaqi shpresën se pas zgjedhjeve në Kosovë, që mbahen më 6 tetor, “gjërat do të jenë të më qarta” dhe më pas “të hyhet në negociata përfundimtare”.

Ai tha se Kosova duhet të heqë tarifat “që janë në kundërshtim me frymën e BE-së” dhe “Serbia duhet të përmbahet nga kjo nisma e tërheqjes së njohjeve (të pavarësisë së Kosovës”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, në kundërpërgjigje ndaj fushatës së Beogradi kundër shtetësisë së Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane që janë aspiratë e të dyja vendeve.

Por, në Helsinki sot ju bë thirrje Serbisë që të mos largohet nga rruga e saj evropiane derisa Beogradi po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me një bllok ekonomik të udhëhequr nga Rusia. Serbia pritet të nënshkruajë marrëveshjen me Bashkimin Ekonomik Euro-aziatik - të përbërë nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgizia në fund të muajit tetor.

Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, tha se nuk mund te ecet në disa drejtime njëherësh dhe Serbia duhet të harmonizojë politikat e saj me partnerët evropianë

“Nëse jeni serioz në orientimin evropian, atëherë merrni vendime që ju ofrojnë. Ky nuk është një prej tyre”, tha ai.

Shefja në largim e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se anëtarësimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian nënkupton jo vetëm përfitime ekonomike por ndihmon edhe ndërtimin e paqes dhe ripajtimin.

"Mos të harrojmë se disa nga këto vende ishin në luftë vetëm 20 vjet më parë dhe kjo është një kohë e shkurtër. Vetëm perspektiva e të qenit së bashku në të njëjtën familje, në të njëjtin institucion, mund t'u japë atyre jo vetëm stimuj ekonomik, por edhe stimuj institucional, politik, për t'u pajtuar me një histori shumë të rëndë dhe të vështirë dhe për të parë drejt së ardhmes”, tha ajo.

Por, Bashkimi Evropian është kritikuar për dështimin në përmbushjen e zotimeve duke zvarritur hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian është shprehur i përkushtuar për ta bërë këtë në tetor, por zonja Mogherini tha të premten se vendet anëtare ende nuk janë gati për një vendim të tillë.

Serbia hapi këto negociata në vitin 2014 por procesi varet nga marrëdhëniet me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë. Beogradi madje reagoi edhe ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në takimin në Helsinki.

Hapja e negociatave Serbisë asaj i ishte mundësuar me marrëveshjet me Kosovën të vitit 2013 të cilat Kosovës i siguruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

Megjithatë ajo mbetet e fundit në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza, ndonëse siç tha të premten zonja Mogherini, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza./VOA

/Ora News.tv/