"The Guardian": Tirana një nga qytetet më miqësore për fëmijët në botë

"The Guardian": Tirana një nga qytetet më miqësore

Gazeta britanike "The Guardian" i ka kushtuar një shkrim të  veçantë qasjes novatore që kryeqyteti shqiptar po merr ndaj të qënit miqësor me  fëmijët.

The Guardian e rendit Tiranën si një nga  qytetet më miqësore ndaj fëmijëve, mes Rotterdamit, Bogotas, Lexingtonit  dhe Vancouverit.

Në  artikullin e saj, Laura Laker, shkruan se përkundër zërit të një  minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni  Artificial, shumica fitoi, ndërsa thekson se në të gjithë qytetin janë  ndërtuar 31 kënde të reja  lojërash, që dikur kanë qenë hapësira të zëna nga ndërtimet informale.

Artikulli  i kushton një vëmendje edhe sheshit “Skënderbej” dhe nismave të  Bashkisë së Tiranës për ditët pa makina, të cilat kanë sjellë një ulje  të nivelit të ndotjes së PM 10 me 15%. Gjithashtu, ajo shkruan se  ndryshe nga shumë shtete  të tjera në botë të cilat ngrenë mure, Tirana po ndërton një mur me  pemë që po rrethon qytetin për më shumë oksigjen.

“The  Guardian” shton se Tirana mburret me "këshillin e qytetit për fëmijët",  ku përfaqësuesit e rinj takohen me kryebashkiakun, debatojnë, ndërsa  citojnë Veliajn që i cilëson ata si “avokatët më të mirë për të bindur  prindërit e tyre  për të ricikluar, për të ecur dhe për të shkuar me biçikletë në  shkollë”.

 Shkrimi i Laura Laker për “The Guardian”

Realiteti  i sotëm për fëmijët që jetojnë në zonat urbane është se kalojnë shumë  kohë brenda katër mureve të shtëpisë, duke luajtur me smartfonë. Por,  disa qytete po e  luftojnë këtë trend negativ me mënyra inovative, që i mbajnë fëmijët të  shëndetshëm, socialë dhe jashtë dyerve të shtëpisë

Imagjinoni  sikur jeni një fëmijë 10 vjeçar, jetoni në një qytet mesatar dhe duhet  të shkoni të takoni shokun tuaj të ngushtë, 5 minuta larg, për të  luajtur në një park vetëm 10 minuta që aty. Por, ka një problem:  juve dhe shokut tuaj iu ndan një rrugë e rrezikshme, dhe një tjetër po  aq e rrezikshme ndodhet mes jush dhe parkut. I kërkoni prindërve t’ju  shoqërojnë, por ata thonë jo, sepse janë shumë të zënë.

Si  këmbim, ti bisedon me shokun tënd në Snapchat apo luan me lojëra  elektronike në divanin tënd. Ky është realiteti i sotëm i fëmijëve, por  nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kështu.

Tirana: Besojini shumicës së heshtur!

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve”,  thotë kryetari në moshë të re i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Një  studim në këtë qytet tregoi se prindërit e fëmijëve  shpenzonin më shumë para për të mirëmbajtur makinat se sa për fëmijët e  tyre. Pikërisht, këtë statistikë, Veliaj e përdori si bazë morale për  të rishikuar prioritetet. Në një qytet me fonde të kufizuara, bizneset  kanë sponsorizuar transformimin e kopshteve  dhe çerdheve, duke i kthyer nga disa dhoma që u ngjanin qelive të  burgut, në hapësira të bukura. 10 të tjerë janë në ndërtim e sipër  përmes partneritetit publik-privat.

Në  sheshin “Skënderbej” u ndalua jo pak herë qarkullimi i makinave dhe  duket se kjo i bindi banorët e Tiranës që ta pranojnë këtë hapësirë, si  një zonë krejtësisht pedonale. Çdo 3 muaj, zona pedonale shtohej  me nga një rrugë të re, deri sa qendra e qytetit u kthye në një  hapësirë plotësisht pa makina. Treguesit e PM10 për ajrin tregojnë se  ndotja është ulur tashmë me 15%. Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë  në një qytet ku makina është një simbol i fortë dhe  status për çdo individ. Ndërtimi i një këndi të madh lojërash në  Liqenin Artificial të Tiranës, shkaktoi shumë protesta, madje disa prej  tyre të dhunshme.

“Një  pakicë uturitëse, e cila ka lidhjet e saj për interesa të ngushta, bën  gjithmonë zhurmë. Por, ne besojmë se shumica e heshtur do ta thotë  fjalën e saj kur këndi të  hapet”, tha asokohe Veliaj. Në vitin e parë, kryebashkiaku i  Tiranës mori thuajse 40 mijë metër katrorë nga ndërtimet informale, duke  krijuar kështu hapësira për 31 kënde të reja lojërash. Një unazë pyjore  që po krijohet me pemët që fëmijët i mbjellin  për ditëlindje, po shtohet dita-ditës në Tiranë.

“Në një kohë kur shtete të tëra flasin për mure, ne po ndërtojmë mure pemësh, për të oksigjenuar qytetin”  thotë Veliaj. Rreth 60% e pemëve ka ardhur si donacion i  qytetarëve dhe bizneseve, këta të fundit mbjellin dy pemë për çdo  makinë që kanë në pronësi. Ndërkohë, një tjetër unazë rreth qytetit për  ecje, çiklizëm dhe transportin publik, është në ndërtim e sipër.

Tirana  krenohet gjithashtu, edhe për një “Këshill bashkiak fëmijësh”, aty ku  të vegjëlit takojnë kryetarin e Bashkisë, debatojnë me të dhe përgjigjet  që marrin, i diskutojnë edhe në klasë.“Gjëja më e mirë për fëmijët”, shton Veliaj,“është se ata nuk kanë një axhendë të fshehur, por janë avoketërit më  të mirë për të ndikuar te prindërit që të riciklojnë mbetjet, të ecin  apo të përdorin biçikletat”.

EMISIONET