600 persona rezultojnë të prekur nga fruthi që nga muaji janar kur u shënua dhe rasti i parë. Epidemia e fruthit vijon të përhapet, ndërsa në këtë periudhë fëmijët e vegjël preken nga infeksionet respiratore dhe diarreja.

Që nga muaji janar që u shënua rasti i parë dhe deri më tani, 600 persona rezultojnë të prekur me fruth.

Statistikat e ISHP-së tregojnë se fruthi vijon të përhapet në ritme të shpejta ndërsa mjekët e vënë theksin tek vaksinimi.

Edhe në Qendrën Shëndetësore nr 1, mjekja pediatre Blerta Dedja thotë se janë evidentuar raste të reja me fruth tek mosha pediatrike.

Blerta Dedja: Një problem specifik që kemi, që u bë muaj që po diskutohet, janë rastet e fruthit që akoma dalin raste të reja në të gjitha grup-moshat e fëmijëve. Apeli për prindërit është gjithmonë për vaksinimin.

Përveç riskut të fruthit, kjo është periudha kur fëmijët e vegjël preken edhe  nga infeksionet respiratore, pra vështirësi frymëmarrje dhe diarre.

Kjo për shkak të ndryshimit të temperaturës dhe stinës që favorizon përhapjen e tyre.

Në nivel kombëtar, ISHP raporton për 11 mijë raste me infeksione të sipërme dhe të poshtme respitarore, ndërsa në QSUT rreth 250 fëmijë i drejtohen mjekëve specialistë për të marrë mjekim në një ditë.

Mjekët rekomandojnë se asnjë prind nuk duhet të tentojë vetëmjekim të fëmijës por duhet ti drejtohen specialistëve.

Ndërsa përsa i takon  fruthit, vaksinimi është e vetmja mënyrë e parandalimit të tij.

/Ora News.tv/