Ditët e para të vitit të ri kanë nisur me një fluks vizitash edhe në qendrat shëndetësore të kryeqytetit si pasojë e virozave dhe gjendjeve gripale. Drejtorja e Qendrës Shëndetësore Nr.3 në Tiranë, Bruna Shiroka, pohon se po vihet re një përhapje e virozës në popullatë, e cila në disa raste është shoqëruar edhe me komplikancione. 

Bruna Shiroka: “Në ditët e para të vitit të ri vëmë re një shtim të numrit të rasteve të sëmurëve që paraqiten pranë qendrës shëndetësore me viroza. Numri i vizitave me sëmundshmëri akute është nga 10-15 për çdo mjek, pra është një numër i shtuar, që tregon një intensitet të lartë të shfaqjes së virozës në stinën e vet normale. Rrallë kanë qenë raste të rënda në të cilat janë shfaqur komplikacione” 

Shiroka u bën apel qytetarëve që para se të shkojnë të mbipopullojnë urgjencat spitalore ku duhet të presin gjatë për të marrë shërbim, t’u drejtohen më parë mjekëve të tyre të familjes, të cilët duke pasur kartelën shëndetësore të çdo pacienti përcaktojnë edhe mjekimin e duhur.

Bruna Shiroka: “Paraqitja dhe marja e ndihmës pranë qendrave shëndetësore nga popullata jo vetëm që menaxhon në mënyrë shumë më të mirë trajtimin, por krijon edhe mundësinë që pacientët e sëmurë të marin një shërbim më të shpejtë, të shmangin radhët dhe fluksin në qendrat spitalore, sepse trajtimi nga mjeku i familjes është i sigurt, është një mjek që njeh problematikën, sëmundshërinë, komplikacionet, reaksionet e mundshme nga medikamentet dhe në trajtimin e personit që mbulon në zonën e vet është shumë herë më i kujdesshëm”    

Si përherë në situata gripale apo virozash, mjekët këshillojnë shmangien e ambienteve të mbipopulluara dhe një dietë të pasur ushqimore.

Bruna Shiroka: “Ruajtja nga ndryshimet termike, nga ambientet e ngrohta dhe të ftohta, sidomos për të moshuarit dhe për fëmijët e vegjël, ushqyerja e shëndetshme, konsumimi i lëngjeve të freskëta të cilat ndihmojnë në rritjen e imunitetit, shmangia e qëndrimit në ambiente me qëndrueshmëri të lartë të popullatës për të mënjanuar dhe shmangien e përhapjes së virusit”  

Ditët e fundit, për shkak edhe të mbylljes së qendrave shëndetësore me rastin e vitit të ri, Urgjenca Pediatrike e spitalit “Nënë Tereza” ka qenë e tejmbushur me fëmijë, ndërkohë që në një situatë të ngjashme ka qenë edhe Urgjenca e Infektivit.

/Ora News.tv/