Në Greqi janë shkaktuar probleme serioze nga reshjet e fuqishme të shiut, paraditen e të mërkurës.

Në Nea Perama dhe Megara, zona në afërsi të Athinës, rrugët janë shndërruar në lumenj, janë përmbytur banesa, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikëseve, pasi janë bllokuar në makinat e tyre.

Në aksin rrugor Athinë-Korinth qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm në një korsi. Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmanget lëvizja në këtë aks, me qëllim që mos të pengohen makinat zjarrfikëse të cilat operojnë në zonat e prekura. Sipas shërbimit zjarrfikës, brenda një ore pati 160 thirrje për ndihmë, nga qytetarë që u janë përmbytur banesat apo bizneset dhe kërkohet nxjerrja e ujërave me pompë.

Me vendim të autoriteteve shkollat e zonës do të qëndrojnë mbyllur të mërkurën.


/ora News.tv/


Ditët e fundit, në gjithë Greqinë ka pasur shtrëngata shiu që kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme. Në Korfuz, një turist anglez humbi jetën kur makinën ia morën ujërat e rrëmbyer. Në disa ishuj u shpall gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa po punohet për të riparuar rrjetet e furnizimit me energji, ndërsa shumë prej akseve rrugore urbane janë shkatërruar.

Shërbimi meteorologjik i ka vënë emrin “Eurydiki” kësaj vale të motit të keq, e cila pritet të vazhdojë deri në fundjavë.

/Ora News.tv/