Greqia në paralizë

Greqia në paralizë

Planet e qeverisë greke për një valë të re masash shtrënguese gjatë periudhës së verës, kanë shkaktuar revoltë tek klasa punëtore që u organizua sot në një grevë mbarëkombëtare. Greqia është zhytur në një krizë borxhesh që nga viti 2009 dhe ndodhet në prag të përfundimit të paketës së tretë ndërkombëtare të shpëtimit.

Qoftë përmes detit, tokës apo ajrit, transporti në Greqi provoi të ishte një sfidë këtë të mërkurë, teksa vendi është përfshirë nga një grevë mbarëkombëtare e punëtorëve.

Të udhëhequr nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, punëtorët protestuan kundër masave të ashpra të kursimit si dhe shtrëngimet e reja ekonomike që priten të fillojnë këtë verë, pasi të skadojë paketa e tretë ndërkombëtare e shpëtimit të vendit.

Marshit të punëtorëve në Athinë ju bashkuan dhe pensionistë e studentë, ndërkohë që edhe gazetarët braktisën punën për të qenë pjesë e grevës.

Organizatorët kanë paralajmëruar vijimësinë e protestave, kundër masave të ashpra shtrënguese të ndërmarra nga qeveritë e njëpasnjëshme që pas shpalljes së falimentit të vendit në 2009.

Që prej atij viti, Greqia ka marrë 260 milionë euro në kredi shpëtimi në këmbim të zbatimit të masave shtrënguese, si shkurtimi i sektorit publik, rritja e taksave dhe ulja e pensioneve.

Qeveria e majtë e kryeministrit Alexis Tsipras ka premtuar nisjen e bisedimeve për rritjen e pagave në periudhën pas daljes nga kriza.

EMISIONET