Greqi, për shkak të flamurit shqiptar, nuk lejojnë mësimin e shqipes

Greqi, për shkak të flamurit shqiptar, nuk lejojnë mësimin e

Prindër dhe nxënës në ishullin e Kretës nuk kanë lejuar që në ambientet shkollore të bëhet mësimi i gjuhës shqipe.

Ata kanë reaguar pas një ceremonie që u bë në shkollë dhe ku, çdo të diel rreth 25 nxënës shqiptarë do të mësonin gjuhën e tyre amtare.

Kësaj ngjarjeje i ka kushtuar një vend të gjerë televizioni privat grek, SKAI, në një nga emisionet e ditës së hënë.

Televizioni i ka dënuar reagimet ekstreme, aq më tepër që ato kanë ndodhur në një qytet që është konsideruar mjaft miqësor ndaj emigrantëve.

Sipas korrespondentit të Kretës, ngjarja ka ndodhur gjimnazin Nr. 1, në qytetin Chania, ku ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë.

Ai tha se prindërit dhe nxënësit grekë u irrituan kur panë se në ceremoninë përkatëse, krahas flamurit grek ishte shpalosur edhe një flamur kombëtar shqiptar.

Ata u ngujuan aty duke paralajmëruar se nuk do të largoheshin nëse nuk anulohej vendimi për të disponuar një prej klasave ku do të bëhej mësimi i gjuhës shqipe.

Drejtori i shkollës, duke folur për mediat lokale tha se vendimi ishte marrë sipas të gjitha rregullave, pas kërkesës së përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Chania.

Vetë prindërit dhe nxënësit janë kundërpërgjigjur duke deklaruar se akti i tyre nuk bëhet kundër mësimit të gjuhës shqipe, po për faktin se flamuri grek ishte hequr nga shtiza dhe ishte vendosur mbrapsht krahas flamurit shqiptar.

Sido që të jetë e vërteta, fakti është se fëmijtë e emigrantëve shqiptarë në Chania nuk do të mund të bëjnë mësimin e gjuhës në atë shkollë.

Bashkia e qytetit po kërkon një mjedis tjetër, por pas publicitetit që mori ngjarja, vlerësohet se kjo do të jetë një ndërmarrje e vështirë.

Në shumë prej zonave të Greqisë autoritetet lokale kanë disponuar falas mjedise publike ku ish arsimtarë emigrantë u japin mësim vullnetarisht familjeve të bashkatdhetarëve të tyre.

Në shumicën e zonave kjo inciativë është pranuar nga vendasit, por në disa zona të tjera nuk kanë munguar edhe reagimet negative.

EMISIONET