Qeveria greke po shqyrton pezullimin përfundimtar të kampionatit të futbollit, pas ndërprerjes së derbit të mbrëmshëm midis PAOK të Selanikut dhe AEK-ut të Athinës.

Zëvendësministri i sporteve ka reaguar pasi presidenti i PAOK-ut, biznesmeni i fuqishëm Ivan Savidis, mësyu në fushë i armatosur dhe iu kanos gjyqtarit të ndeshjes.

Ky i fundit kishte anuluar me shumë vonesë një gol të vendasve, shënuar pak para përfundimit të ndeshjes.

Takimi u ndërpre në minutën e 89-të dhe nuk rifilloi kurrë.

“Imazhet me drejtues të futbollit që futen të armatosur në fushën e lojës na kthejnë shumë vite mbrapa”, deklaroi vonë mbrëmjen e të dielës zëvendësministri i sporteve, Jorgos Vasiliadis.

Sipas tij, imazhe të tilla dëmtojnë në radhë të parë miqtë e PAOK-ut, por edhe gjithë dashamirësit e futbollit.

“Fenomene të tilla ekstreme kërkojnë vendime të guximshme. Nuk do të lejojmë askënd që të na devijojë nga rruga jonë, edhe sikur të nevojitet që në marrëveshje me UEFA-n të marrim vendime të vështira”, theksoi zëvendësministri i sporteve.

Kjo fjalia e fundit konsiderohet si parathënie e ndërprerjes përfundimtare të kampionatit grek të kategorisë superiore. Nëse kjo ndodh vërtet, ekipet greke skualifikohen nga pjesëmarrje në gjithë kompeticionet ndërkombëtare.

Por gjithçka do të sqarohet ditët e ardhshme.

E diela e mbrëmshme që u quajt nga mediat si “nata e turpit për futbollin grek”, ka edhe dimensione politike dhe pritet të ashpërsojë polemikat midis opozitës dhe qeverisë.

Savidis, një biznesmen rus me origjinë greke, konsiderohet nga opozita se ka mbrojtjen e qeverisë Tsipras, në këmbim të mbështetjes që i ofron me dy mediat që bleu tash së fundi, një televizion dhe një të përditshme të madhe.

/Ora News.tv/