Grabitje 1 milion euro, arrestohet "Drakula" shqiptar me grupin

Një bandë profesionale e grabitjes së banesave është shpartalluar nga karabinierët në Piacenza. Tetë persona kanë përfunduar në pranga, pesë prej të cilëve shqiptarë, një rumun dhe dy të tjerët vendas, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të paktën 15 vjedhje janë zbardhur nga hetuesit të kryera mes qershorit dhe dhjetorit 2016, kryesisht në Piacenza, por edhe në Bergamo dhe Brescia, kryesisht ndaj banesave por edhe një bar dhe një restorant. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se numri i grabitjeve që i atribuohen grupit është shumë më i lartë.

"Ky është një grup i rrezikshëm që paraqet një kapacitet të veçantë kriminal", vuri në dukje Prokurori Salvatore Cappelleri.

Banda thanë hetuesit, planifikonin çdo gjë në hollësi, si inspektime paraprake, dhe më pas grabitjen e objekteve të përcaktuara qartë. Veçanërisht në shënjestër ishin shtëpitë me kasaforta të hapura.

Sipas gjetjeve, mallrat e vjedhura janë sende të çmuara, para të gatshme, veshje të shtrenjta, materiale elektronike, vepra arti, të cilat brenda disa orëve dërgoheshin në Milano ku grupi kishte kontakte për t'i shitur.

Baza logjistike u identifikua në një shtëpi në zonën e Podenzanos, në të cilën një nga italianët e arrestuar jetonte. Ajo përdorej për të depozituar mjete dhe makina të përdorura gjatë grabitjes dhe ruajtjen e përkohshme të materialeve të vjedhura.

Një milion euro është shuma e vlerësuar të ardhurave nga grabitjet e grupit, lideri i të cilit është një 33 vjeçar shqiptar i njohur me nofkën "Drakula" , i cili organizonte veprimtarinë. Italianët ofronin mbështetjen logjistike, ndërsa shqiptarët dhe rumuni kryenin vjedhjet.

Të arrestuarit duhet të përgjigjen përveç krijimit të grupit kriminal, edhe për shitjen e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit.

"Ishte një hetim kompleks", tha prokuroria, duke shtuar se anëtarët e bandës kishin një sërë karakteristikash; ata fiknin celularët shumë larg zonës së grabitje dhe kishin disa makina në dispozicion, çka e ka vështirësuar punën e hetuesve.

EMISIONET