Grabitja e miliona eurove të bankave të nivelit të dytë në aeroportin e Rinasit, ka zhvlerësuar ndjeshëm monedhën evropiane ndaj lekut shqiptar. Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë situatë me efektet psikologjike ndërsa bëjnë apel që të merren masa të menjëhershme për të kthyer besimin në ekonomi. 

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Rinas ku u grabitën disa miliona euro ka  dhenë impaktin e parë në ekonomi duke zhvlerësuar ndjeshëm monedhën evropiane ndaj lekut. Ekspertë të ekonomisë sqarojnë se ngjarje të tillë kërkojnë përgjigje të shpejtë në mënyrë që të mos kenë kosto në ekonomi.

Arben Malaj shprehet se Banka e Shqipërisë ka mundësinë të ndërhyjë në treg për të stabilizuar kursin  nëse cenohen objektivat.

Arben Malaj: Ngjarjet e ndodhura kërkojnë një përgjigje të shpejtë. Ajo që duhet të jetë investimi më i miri i qeverive shqiptare është funksionimi i shtetit ligjor, përgjegjësia maksimale në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë. BSH ka të gjitha instrument e nevojshme për ta ndjekur nga afër kursin e këmbimit dhe për të ndërhyrë në rastet kur një zhvlerësim i mëtejshëm i kursit të këmbimit cënon objektivin e politikës së saj monetare që është niveli i inflacionit për ta mbrojtur vendin nga risqet, një rënie e mëtejshme e besimit.

Eksperti Arjan Kadareja shprehet se zhvlerësimi i monedhave lidhet direkt me efektin psikologjik ndërsa apelon që të merren masa për të garantuar lëvizjen e kapitalit të bankave.

Arjan Kadareja: Ndikim psikologjik, i cili e ka ndikuar kursin e këmbimit të lekut, jo vetëm kundrejt euros, por kundrejt të gjitha monedhave të tjera. Natyrisht, duhet pasur parasysh që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Masat duhet të jenë të forta që të garantohet lëvizja e lirë e kapitalit.  

Brenda pak ditëve monedha evropiane ka humbur rreth tre pikë ndaj lekut shqiptar por gjatë së hënës monedhat kanë ndalur rënien për shkak të pasigurive dhe euro  ka arritur në vlerën e 124 lekëve

/Ora News.tv/