Grabitja në Rinas/Ky është Alkond Bengasi, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë
Gjykata e Krimeve të rënda ka lënë në burg një nga katër të arrestuarit e parë për grabitjen e parave në Rinas. Alkond Bengasi sipas prokurorisë ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, duke treguar detaje për personat e përfshirë në grabitje dhe modifikimin e furgonit me mbishkrimin Hetimi Tatimor. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe ish-polici Mariglen Hoxha, i cili dyshohet se ka informuar autorët e vjedhjes për oraret e lëvizjes së parave.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për Alkond Bengasin, një nga të arrestuarit për grabitjen e ndodhur në Rinas më 9 prill.
Bengasi doli të martën para gjykatës, ndërsa të mërkurën do të cakohet masa e sigurisë për të arrestuarit e tjerë.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e medias, për shkak të sekretit hetimor.
Fillimisht për mbrojtjen e Bengasit u paraqit si avokat ish-prokurori Adriatik Cama, i shkarkuar pak muaj më parë nga vettingu.
Por mungesa e një tagri përfaqësimi të rregullt nga familja bëri që gjykata të mos pranojë mbrojtjen e të pandehurit nga Cama, por të caktojë një avokate kryesisht.
Bengasi pranon të bashkëpunojë e drejtësinë-Sipas prokurorisë, Bengasi ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit duke thënë se ka qenë punëtor në servisin ku u modifikua furgoni me mbishkrimin Hetimi Tatimor.
Ai ka pohuar para hetuesve se kishte 6 muaj që punonte aty duke dhënë edhe detaje të rëndësishme për personat që kanë kërkuar këtë modifikim të mjetit të përdorur në grabitje.
Bengasit i ëshë afruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë në këmbim të informacioneve të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.
Katër të arrestuarit për grabitjen në Rinas janë Alkond Bengasi 34 vjeç, Renaldo Sula, 25 vjeç Saimir Çela, 28 vjeç, të tre banues në Elbasan dhe 38-vjeçari Oltian Veseli, banues në Krujë.
Prangosja e tyre u krye 13 ditë pas ngjarjes. Dy prej tyre kishin në pronësi servisin që gjendet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atje ku dyshohet se u modifikua dhe makina me logon “Hetimi Tatimor”.
Në kërkim ish polici- Në lidhje me ngjarjen policia ka shapllur në kërkim disa pesona mes të cilëve ish-punonjësin e policisë Mariglen Hoxha, që dyshohet se ka informuar autorët për oraret e lëvizjes së parave.
Sipas policisë, në furgonin që u përdor nga autorët për të marrë paratë nga avioni i “Austrian Airlines” janë gjetur dhe sekuestruar prova të mjaftueshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash, si vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
