Qeveria ka lajmëruar një reformë për skemën e pensioneve të fshatit, për nxitur të vetëpunësuarit në bujqësi që të paguajnë kontributet e sigurimeve, ku po diskutohet edhe mundësia e përgjysmimit të pagës minimale prej 24 mijë lekësh,  për efekt të pagesës së kontributeve. Për ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, skema aktuale për të vetëpunësuarit në bujqësi është e favorshme, pasi ndryshe nga qyteti, gati gjysma e kontributeve për fshatin subvencionohet nga shteti. Sipas tyre, barazimi i pensioneve të fshatit me të qytetit, do ta bëj të detyrueshme që edhe pagesat e kontributeve të jenë të barabarta. 

Drejtori i Kontributeve në ISSH, Vullnet Sadushi: Mjafton që i vetëpunësuari vetë të paguaj shumën prej 38 400 i zonës fushore dhe automatikisht ai është i subvencionuar nga buxheti i shtetit për 27 840 lekë në vit. Për zonën malore subvencionimi është më i madh në masën 56%. Janë favore që ndoshta do të vijnë duke u minimizuar, pasi përfitimi është i barabartë dhe në këto kushte duhet që të dyja kategoritë të barazohen në një të ardhme të afërt që të paguajnë njësoj”

Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Vullnet Sadushi, sqaron se pagesat e periudhave të kaluara mund të bëhen me kontributet e vitit korent, ndërkohë që pjesë e skemës së fshatit, mund të jenë edhe personat që kanë jetuar në zonat rurale.

Vullnet Sadushi: “Mund të blesh periudhat e sigurimit që ke lënë bosh, por do t’i paguash me kuotat e këtij viti, jo me kuotat që kanë qenë në atë kohë. 38 400 zona fushore me 3200 lekë në muaj dhe 29 400 zona malore me 2450 lekë në muaj. Këto sigurime mund ti bëjnë edhe ata që janë larguar, nuk janë më në fshat, por e kanë tokën në pronësi dhe mund të sigurojnë vetëm periudhat që kanë qenë pranë tokës”  

Sadushi pohon se ndërgjegjësimi për të paguar kontribute nga të vetëpunësuarit në bujqësi vitet e fundit ka ardhur në rritje. Në vitin 2017, janë siguruar 56 mijë fermer, ndërkohë që viti aktual synohet të mbyllet me 80 mijë të siguruar.

Vullnet Sadushi: “Po punojmë për hedhjen në sistem të të gjithë të vetëpunësuarve që janë të siguruar për vitin 2017 dhe pretendojmë ta mbarojmë brenda muajit mars. Fermerët e siguruar për vitin 2017 janë 56 mijë. 32 mijë janë me NIP-t, 25 mijë dhe më shumë do të marin nga programet zhvillimit. Pretendojmë ta mbyllim vitin me 80 mijë të siguruar.Vitin tjetër me 100 mijë dhe të shkojmë në kapacitetin tonë maksimal prej 120 mijë” 

Aktualisht nga skema e pensioneve në të gjithë vendin përfitojnë rreth 650 mijë pensionistë, 150 mijë e të cilëve përkasin zonave rurale.  

Pagesat e kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi 

Zonat fushore 38 400 në vit ose 3200 lekë në muaj

Zonat malore 29 400 në vit 2450 lekë në muaj

/Ora News.tv/