Gjykata e Lartë e Venezuelës i 'ngrin' llogaritë bankare udhëheqësit të opozitës

Gjykata e Lartë e Venezuelës ka ndaluar udhëheqësin e opozitës Juan Guaido të largohet nga vendi dhe ka ngrirë llogaritë e tij bankare.

Ky veprim vjen në mes të një lufte në rritje të pushtetit, pasi  Guaidó u shpall president i përkohshëm javën e kaluar.

Ai është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ndërsa Presidenti Nicolás Maduro ka aleatë të mëdhenj, përfshirë Rusinë.

Opozita i ka kërkuar mbështetësve të marrin pjesë në një protestë paqësore dy-orëshe të mërkurën, por është ende e paqartë nëse Guaido do të marrë pjesë.

Një grup i vendeve të Amerikës Veriore dhe Jugore kanë kundërshtuar çdo përfshirje të jashtme ushtarake në vend.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se të gjitha opsionet për të zgjidhur krizën "janë në tryezë".

Venezuela është përballur me probleme akute ekonomike dhe gjatë javëve të fundit ka pasur një rritje të dhunës.

Protestat janë mbajtur në të gjithë vendin që kur Maduro filloi mandatin e tij të dytë si President më 10 janar. Ai u zgjodh vitin e kaluar pas një votimi me shumë probleme dhe kontestime.

Sipas OKB, të paktën 40 persona besohet të kenë vdekur dhe qindra janë arrestuar që nga 21 janari.

EMISIONET