Ka mjaftuar vetëm raundi i parë i votimeve që Milo Gjukanoviç të shpallej president i Malit të Zi. Në zgjedhjet e 15 prillit, Gjukanoviç ka arritur të sigurojë rreth 54% të votave, duke lënë pas kundërshtarin e tij Mladen Bojaniç me 33%. Këtë mandat në krye të vendit, Gjukanoviç e ka konsideruar si një konfirmim të rrugës europiane të Malit të Zi.

Milo Gjukanoviç është konfirmuar president në Malin e Zi me 53.8% të votave. Pas daljes së rezultateve, ai ka theksuar vijimin e përpjekjeve për integrimin e vendit në BE.

“Konfirmohet se jemi në rrugën e duhur dhe drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”, u shpreh Gjukanoviç, ndërsa falenderoi votuesit që i besuan në këto zgjedhje, ku sipas Komisionit Zgjedhor të Malit të Zi u regjistrua një nivel 64% i pjesëmarrjes.

Në fjalën e tij pas shpalljes së rezultatit, Gjukanoviç gjithashtu ka kritikuar kundërshtarët e tij. “Nuk do të merrni mbështetjen e zgjedhësve duke mohuar gjithçka është arritur deri më tani në Malin e Zi,” u shpreh presidenti i sapozgjedhur.

Sfiduesi i tij më i afërt Mladen Bojaniç arriti të siguronte vetëm 33.5%, ndjekur nga Draginja Vuksanoviç me 8.1%. Tre kandidatët e tjerë kanë marrë më pak se 2 për qind të votave.

Zgjedhjet presidenciale të 15 prillit ishin të parat që pasi Mali i Zi i është bashkuar NATO-s dhe konsideroheshin të rëndësishme në perspektivën europiane të vendit.

Gjukanoviç, një politikan pro-perëndimor, qëndron në pushtet prej 27 vitesh, pasi u zgjodh kryeministër i vendit në vitin 1991, në moshën 29-vjeçare.

Në 1997, ai u zgjodh president dhe nisi punën për pavarësinë nga Serbia.

/Ora News.tv/