Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, njëherazi ish-ministre e Integrimit u shpreh se është pesimiste për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE në tetor të këtij viti.

Gjithashtu Gjosha tha se uron që Maqedonia e Veriut të mos penalizohet nga Shqipëria, për shkak të situatës ku ndodhet ajo.

Ish-deputetja deklaroi se Maqedonia e Veriut ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme, si ndryshimi i emrit. Ndryshim që u arrit falë një marrëveshje me Greqinë në momentin kur nuk pritej.

Pjesë nga intervista: 

Gazetari: Muajin tjetër presim një tjetër vendim përfundimtar. Cilat janë pritshmëritë tuaja në këtë drejtim? Pikërisht për integrimin.

Gjosha: Unë jam shprehur në vitin 2018, pikërisht për këtë çështje, në momentin që Këshilli doli me një vendim kundër çekjes së negociatave dhe madje në atë kohë u renditën disa rekomandime për Shqipërinë. Është për të ardhur keq që asnjë nga ato rekomandime nuk është marrë seriozisht. Në krye të tyre qëndronin zgjedhjet me standarde në Shqipëri dhe dekriminalizimi i politikës shqiptare. Sot besoj se janë çështje më reale dhe më të prekshme se kurrë. Nuk e di si do të gjykojnë vendet anëtare për Shqipërinë kur të marrin në duart e tyre raportin e OSBE/ODIHR që i ka dhënë një goditje shumë të rëndë demokracisë shqiptare, alternativës që mund të kishin qytetarët për të zgjedhur dhe që nuk arritën dot ta kishin me zgjedhjet e fundit. Të shkosh nga zgjedhjet në zgjedhje me standarde të cunguara, apo shumë herë më të dobëta se ato që ke pasur një palë zgjedhje më parë, kjo besoj se do t'i rëndojë shumë Shqipërisë në muajin tetor sa i përket vendimit për çeljen e negociatave. Për të mos thënë që mund të kemi kushte të shtuara.

Gazetari: Jeni pesimiste në këtë aspekt, pavarësisht dëshirës?

Gjosha: Dëshira është jo vetëm nga unë si një ish-drejtuese e Ministrisë së Integrimit, por besoj që është një dëshirë e qytetarëve shqiptarë për të çelur negociatat, sepse është e vetmja mënyrë për të futur politikën shqiptare në një kornizë ligjore. Ka dalë jashtë shinave ligjorë dhe kushtetues. Përtej dëshirës, dëshira nuk është ajo që tregon në të vërtetë punën e qeverisë shqiptare, që ka munguar në këtë 1 vit e gjysmë. Unë jam shumë pesimiste për muajin që vjen.

Gazetari: Emri i Maqedonisë së Veriut më me shumë optimizëm dhe është krijuar ideja e një anëtarësimi "enblak". Mund të përfitojë Shqipëria nga kjo qasje përkundrejt Ballkanit?

Gjosha: Unë uroj që të mos humbasë Maqedonia e Veriut për shkakun e Shqipërisë. E di që Maqedonia e Veriut ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme. Të ndryshosh emrin është me të vërtetë një gjë shumë madhore për vendin dhe qytetarët e tyre. Ata ja kanë dalë të bëjnë një marrëveshje me Greqinë në momentin kur nuk pritej të arrihej një marrëveshje e tillë. E meritojnë edhe për shkak të reformave të njëpasnjëshme që ata kanë ndërmarrë. Uroj që të mos penalizohen nga situata në të cilën ndodhet Shqipëria dhe nga diskutimet që kanë mbërthyer sot vendet anëtare mbi Shqipërinë.

/Ora News.tv/