Gjosha: Ne do jemi aty ku qytetarët do ngrenë zërin kundër keqqeverisjes dhe arrogancës

Gjosha: Ne do jemi aty ku qytetarët do ngrenë zërin kundër

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Klajda Gjosha, në një intervistë për `Ora News`, u shpreh se vendimi i marrë nga byroja parlamentare ndaj kërkesës së LSI, ishte e pritshme nga opozita. Gjosha thotë se fjalori i Kryeministrit ndaj qytetarëve të Kukësit ishte mjaft e rëndë dhe se Rama duhej përjashtuar nga disa seanca parlamentare. Gjithashtu, deputetja e LSI është shprehur ndër të tjera se kjo forcë politike do mbështesë qytetarët dhe do jetë aty ku ata mendojnë se duhet të protestojnë dhe ngrenë zërin kundër keqqeverisjes dhe arrogancës. Gjosha thekson se duhet të ngrihet një shtet social, pasi, sipas saj, për momentin kemi një shtet asocial. “Ne do shkojmë aty ku qytetarët mendojnë që duhet të protestojnë dhe duhet të ngrenë zërin kundra keqqeverisjes, arrogancës mbi të gjitha. Është arroganca që ka çuar në këtë situatë të jashtëzakonshme në vend. Është mënyra se si veprohet në këtë qeveri me një mungesë transparencë tejet të theksuar. Ata qytetarë në Kukës nuk e kanë ditur se çfarë po ndodhte”, shprehet Gjosha.

Byroja parlamentare mori vendimin për të mos marrë parasysh një kërkesë të paraqitur nga LSI për përjashtimin me 10 ditë afat të Kryeministri nga Kuvendi. Si e patë këtë vendim?
T`ju them të vërtetën, mua nuk më bën asnjë lloj përshtypje vendimi që mund të marrë byroja, e cila shumica e votave i përket Partisë Socialiste. Kështu që, nuk prisja ndonjë vendim ndryshe, ne jemi mësuar tashmë të kemi vendime të njëanshme, ku aty ku gabon sadopak opozita, ndëshkohet. Nga ana tjetër, kur gabon mazhoranca, asnjëherë nuk pranohet gabimi, por vazhdon edhe rëndohet situata gjithnjë përkundrejt qytetarëve shqiptarë. Pra, gjithçka ia u tha atyre dhe mënyra se si iu drejtua, ishte gabuar. Askujt nuk duhet tu lejohet ajo mënyrë e të folurit, e aq më tepër Kryeministrit që mendohet se është përfaqësues i të gjithë popullit shqiptarë. Ne e bëmë atë kërkesë me vetëdije të plotë, që ai të përjashtohej nga në seanca, por nëse do kishte një vendim të drejtë atëherë ai duhej përjashtuar për më gjatë, sepse ishte një fjalor, që besoj në asnjë vend tjetër nuk dëgjohet nga krerët e shteteve, sepse është shumë e rëndë kjo gjuhë drejtuar qytetarëve. Kështu që, ne menduam se do ishte e drejtë përjashtimi i Kryeministrit nga seancat e ardhshme parlamentare, jo vetëm për ta ndëshkuar atë, por edhe për ta bërë të kuptojë që në një mënyrë të tillë, ne mund të bëhemi të gjithë bashkë. Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, por realisht ky vendim nga pala jonë pritej. Unë personalisht kam qenë e mendimit se do merrej një vendim që të ishte pro tij, apo ta merrte në mbrojtje.

Ndërkohë, çfarë arsyetimi u dha për këtë vendim negativ ndaj kërkesës suaj? A është një problem akoma dhe më i gjerë se deklarata e Kryeministrit Rama, etika në parlament?
Besoj se etika ka qenë gjithnjë një problem në Kuvend. Zbatimi i kodit etik duhet të nisë pikërisht nga Kryeministri i këtij vendi e më pas nga deputetët. Ka qenë gjithnjë problem se si shprehen shpeshherë përfaqësuesit e parlamentit apo se si i drejtohen njeri tjetrit. Unë uroj që të mos ndodhë më. Të gjitha argumentet që ka dhënë mazhoranca i kanë ndjekur të gjithë qytetarët nëpërmjet televizorit, ku u tha se ishte e gjitha një poezi. Unë nuk mendoj që një poezi e tillë i shkon përshtat popullit shqiptar, aq më tepër në këto momente, ku thika i ka shkuar në palcë, ku nuk mban më dhe gjendja ekonomike vjen çdo ditë duke u rënduar. Njerëzit janë të pashpresë, të papunë dhe nuk kanë asnjë mundësi për të ngritur zërin përveçse të përdorin atë mënyrë, që në fakt e shpalosën kuksianët disa ditë më parë dhe që ishte një tronditje e madhe, si për Kryeministrin, ashtu edhe për qeverinë.

Ju patët një protestë që konsistonte në mosbindje civile. A i arritët pritshmëritë tuaja? Cili ishte mesazhi që donit të përcillnit?
Ishte vetëm fillimi i një sërë protestash, të cilat do të vazhdojnë në të gjithë vendin t`ju them të vërtetën nuk është një kërkesë që ka ardhur nga opozita, mosbindja civile ka ardhur pikërisht nga qytetarët. Ajo çka ndodhi në Kukës, vetëm pak ditë më parë, ishte një reflektim shumë i madh që duhet t`i ndodhë politikës shqiptare dhe aq më tepër opozitës, e cila për disa kohë po mundohej të analizonte mirë situatën. Gjithashtu opozita po mundohej të shikonte se cila do ishte sensibilizimi që do kishin njerëzit apo reagimi i tyre ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi. Kukësi ishte një alarm për të gjithë ne që na zgjoi dhe na bëri ne të kuptojmë që duhet të fillonim të ndiqnim qytetarët, sepse realisht thirrja e tyre ishte tashmë një revoltë e brendshme, e cila mund të shpërthente shumë herë më keq. Prezenca e opozitës në bllokimin e 4 akseve rrugore në të gjithë vendin, në fakt ishte për të ndalur atë që ndodhi në Kukës, sepse prezenca e politikanëve qetëson situata. Nëse do t`i lihej në dorë situata qytetarëve, të jeni të bindur që çdo gjë do ishte akoma edhe më keq sesa ajo që pamë të ndodhte në Rrugën e Kombit. Unë uroj që të mos ndodhë, ku dhe vetë nga natyra jam kundër dhunës fizike apo verbale. Megjithatë, në situata të tilla tejet të rënduara mendoj që ajo çka ndodhi ishte e nevojshme. Kjo, për të na treguar se ka arritur aty ku nuk mban më, ne jemi të gjithë të pashpresë. Nuk mund tu shtohen taksa disa njerëzve, të cilët janë tejet të varfër dhe mezi rrisin fëmijët e tyre.

Ju kërkoni një aleanca me qytetarët. Mendoni se e arritët ditën e djeshme?
Unë jam prekur shumë në protestë, jo nga pjesa e qytetarëve që bllokuan akset rrugore, por nga ata qytetarë, të cilët padashur u bën pjesë. Shumë prej tyre nuk e dinin që po zhvillohej protesta. Unë realisht prisja një revoltë nga ata qytetarë, që kanë pritur atje me orë të tëra, në trafik duke pritur zhbllokimin e rrugëve, ku asnjëri nuk i ra borisë dhe kanë pritur aty me një durim për t’u admiruar. Madje, shumë prej tyre kanë zbritur nga automjetet e tyre, duke pyetur se çfarë po ndodh. Disa prej tyre kanë qëndruar me ne, disa janë rikthyer në automjetet e tyre. Askush nuk ka thënë pse po zhvillohet kjo protestë, apo të ngrinte zërin për të thënë hapni rrugën se më duhet të kaloj dhe nuk jam me ju. Dhe në intervistat që unë kam parë në mediat tuaja, realisht tregohej se si qytetarët thoshin: kanë të drejtë që njerëzit protestojnë. Ka ardhur ky moment që qytetarët duhet të protestojnë. Me politikën apo pa politikën kjo është diçka që mund të diskutohet, megjithatë në Shqipëri shpeshherë kemi parë që protestat që zhvillohen nga qytetarët dalin ndonjëherë dhe jashtë kontrollit dhe kontrolli që politika shpeshherë ushtron mbi ta i mban në protesta paqësore, që besoj është e nevojshme.

Nuk ju pamë në Parlament në seancën e fundit, i njëjti format dhe në vijim?
Ne shkojmë aty ku janë qytetarët. Në momentin që ne protestonim në katër akset kryesore, ne kishim biznesin e vogël që në shenjë solidariteti të plotë me protestën ka ulur qepenat dhe ka vazhduar të protestojnë. Kanë qenë pa dijeninë tonë. Ne do shkojmë aty ku qytetarët mendojnë që duhet të protestojnë dhe duhet të ngrenë zërin kundra keqqeverisjes, arrogancës mbi të gjitha. Është arroganca që ka çuar në këtë situatë të jashtëzakonshme në vend. Është mënyra se si veprohet në këtë qeveri me një mungesë transparencë tejet të theksuar. Ata qytetarë në Kukës nuk e kanë ditur se çfarë po ndodhte. Ajo taksë 5 euro në vajtje dhe 5 euro në kthim është e tmerrshme.

A ndjen përgjegjësi LSI për këtë taksë duke qenë se Ministria e Infrastrukturës ka qenë e LSI?
Unë mendoj që z. Haxhinasto i ka bërë të gjitha shpjegimet dhe atë çfarë ka kërkuar ai gjatë kohës së ka qenë pjesë e qeverisë dhe pjesë e kabinetit qeveritar si Ministër i Transporteve. Gjithashtu dhe ministri Dervishaj. Gjithçka dhe kontratat dhe mënyra si është negociuar që pas lënies së mandateve të LSI apo të tërheqjes nga kabineti është kryer nga qeveria ‘Rama’. Është Kryeministri ai që miraton, që udhëzon, që çon përpara kontrata të tilla që janë madhore për vendin dhe që kanë një kosto të caktuar. Nuk është ministri ai që është vendimmarrës në këtë proces. Është momenti që Kryeministri jo vetëm duhet të marrë përgjegjësi, por duhet të mësojë që përpara se të kërkojë ‘më fal’, ashtu sikundër u pa dje të ndodhë, duhet të marrë vendime të drejta. Duhet ngritur një shtet social, sepse ky është një shtet asocial për momentin. Ka kaq shumë taksa, është taksa e pronës, taksa e biznesit të vogël, taksa e Rrugës së Kombit etj. Por përpara se të shtohen taksat e tjera, a duhet të bëjmë një analizë, sa të punësuar kemi? Cila është paga minimale? Cili është minimumi jetik në këtë vend?

Është paralajmëruar një tjetër protestë të martën nga biznesi i vogël. Si do të formulohet ajo?
Unë mendoj që biznesi i vogël e ka nisur tashmë rrugën e protestave. Ka filluar që dje, do vazhdohet sërish me mbyllje qepenash. Që është një shenjë solidariteti i gjithë biznesit të vogël, që me atë taksë që do i shtohet i rëndon jashtëzakonisht shumë. Përveç protestës që do të kryhet me biznesin e vogël, unë kam bindjen që sërish asaj proteste do i bashkohen mijëra qytetarë që tashmë do i duhet të paguajë akoma më shumë. Ne do jemi aty sepse na është kërkuar dhe nga biznesi i vogël për t’i mbështetur dhe për të qenë krah tyre.

Besoni se do të ketë një dëmtim të procesit të integrimit të Shqipërisë?
Protestat e facilitojnë procesin e integrimit. Sepse ato tregojnë nivelin e demokracisë në vend. Tregojnë mënyrën se si reagon shoqëria ndaj një padrejtësie. Kjo është e drejtë dhe në cilindo vend dhe në atë më të zhvilluarin. Ndaj, në asnjë moment protesta nuk e pengon procesin e integrimit, përkundrazi e ndihmon atë. Mua më duhet t’i tërheq vëmendjen qeverisë, për ta lexuar mirë dhe revoltën qytetare. Nuk ka të bëjë fare me integrimin. Integrimi është një set kriteresh që tashmë qeveria Rama i ka mbi tryezën e tyre, duhet të vazhdojnë t’i plotësojnë, duhet të vazhdojnë të përgjigjen për to. Protesta është për ekonominë e vendit, është për financat e qytetarëve, për papunësinë e tyre. Nuk ka të bëjë, janë dy rrugë të veçanta.

T`ju them të vërtetën, mua nuk më bën asnjë lloj përshtypje vendimi që mund të marrë byroja, e cila shumica e votave i përket Partisë Socialiste. Kështu që, nuk prisja ndonjë vendim ndryshe, ne jemi mësuar tashmë të kemi vendime të njëanshme, ku aty ku gabon sadopak opozita, ndëshkohet

Ne do shkojmë aty ku qytetarët mendojnë që duhet të protestojnë dhe duhet të ngrenë zërin kundra keqqeverisjes, arrogancës mbi të gjitha. Është arroganca që ka çuar në këtë situatë të jashtëzakonshme në vend. Është mënyra se si veprohet në këtë qeveri me një mungesë transparencë tejet të theksuar

EMISIONET