Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 93 kilogramë mariuanë ndërsa ka arrestuar një prej transportuesëve të lëndës narkotike ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë. Policia e Gjirokastrës rreth orës 02.30 të mëngjesit ka marrë një informacion se në pyllin me pisha poshtë fshatit Nepravishtë 4 persona po transportonin 3 çanta shpine të mëdha që dyshohet se ishin me lëndë narkotike për në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve u janë afruar në një distancë rreth 50 metra dhe u kanë bërë thirrje të ndalojnë shtetasëve që po transportonin çantat, por shtetasit që transportonin lëndën narkotike kanë braktisur çantat dhe janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira dhe terreni mjaft i pyllëzuar dhe i vështirë. Policia është vënë në ndjekje të tyre ku kanë mundur të kapin dhe arrestojnë në flagrancë njërin prej tyre dhe konkretisht shtetasin Hajri Buci, 28 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës. Ndërkohë në vendngjarje policia janë gjetur tre çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të hedhura në vende të ndryshme në mes të shkurreve ku brenda trye u gjetën 66 pako me lëndë narkotike të mbështjella me letër natriban, disa prej tyre edhe me mbishkrime, me peshë të ndryshme nga 1.2 kilogramë deri në 1.5 kilogramë një pako, gjithësej rreth 93 kilogramë mariuanë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, disa sende personale të personave të dyshuar dhe prova te tjera materiale që shërbejnë për dokumentimin me prova ligjore të autorëve të këtij trafiku. Operacioni për kapjen e këtyre personave po vijon ende ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe pronari i lëndës narkotike një shtetas nga fshati Lazarat, i cili kishte paguar katërpersonat për të transportuar lëndë narktoike në drejtim të shtetit grek nëpërmjet kufirit jeshil ku lëndën narkotike do ta priste një shtetas grek.

/Ora News.tv/