Ministri Damian Gjiknuri i ka bërë thirrje investitorëve gjermanë që të investojnë në infrastrukturën aeroportuale.Gjatë një takimi me homologun gjerman, Gjiknuri tha se prezenca e kompanive gjermane në Shqipëri është një garanci për të ardhmen. Ministri gjerman nga ana tjetër premtoi mbështetje për integrimin e vendit.

Shqipëria fton bizneset gjermane të bëhen pjesë e projekteve infrastrukturore të aeroporteve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, priti në një takim homologun gjerman ndërsa të dy Ministrat nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

Damian Gjiknuri: Patëm një takim shumë të frytshëm me homologun gjerman. U fokusuam në bashkëpunimin e Shqipërisë në fushat me të cilat ka interes siç janë infrastruktura dixhitale pasi jemi duke diskutuar për disa projekte të përbashkëta. Pse jo edhe interesi i kompanive gjermane për të zhvilluar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Unë i kërkova ministrit të ftojë kompanitë gjermane në potencialet e mundshme që do të hapen në zhvillimin e kësaj infrastrukture aeroportuale sidomos në jug. Çdo kompani gjermane që vjen këtu është një besim dhe një forcë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, një garanci për të ardhmen.

Ministri gjerman ofroi mbështetje për Shqipërinë ndërsa shfaqi interes për sektorin e transportit.

Andreas Scheuer: Dëshirojmë që Shqipëria të shënojë zhvillime të mëtejshme jo vetëm përsa i përket proceseve integruese në Bashkimin Europian ku Gjermania sigurisht ofron mbështetjen e vet por dëshirojmë që të mbështesim këtë zhvillim edhe në interes të vetë Gjermanisë.Ne jemi një donator i rëndësishëm i vendit tuaj në mënyrë të vetëdijshme sepse shikojmë potencialet e mëdha që ofron ky vend jo vetëm në sektorin ekonomisë, të energjisë, të bujqësisë, por sigurisht edhe në atë të turizmit. Në të gjithë këta sektorë nevojitet infrastruktura e nevojshme.

Ndërkohë ministri, Ditmir Bushati, merrte pjesë në konferencën mesdhetare të OSBE e cila mbahet në Spanjë.

Rëndësia e Energjisë për Rritjen Ekonomike dhe Bashkëpunimin në Mesdhe, ishte tema e diskutimit të Segmentit Politik të Nivelit të Lartë.

/Ora News.tv/