Gjiknuri: Rruga Tiranë-Elbasan përfundon brenda vitit

Gjiknuri: Rruga Tiranë-Elbasan përfundon brenda vitit

Rruga Tiranë-Elbasan kërkon edhe një fond prej 14 milionë dollarësh shtesë për tu përfunduar. Finalizimi i këtij projekti por edhe i rrugës Durrës-Kukës ishin temat e raportimit të 6-mujorit të punës nga ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri para grupit parlamentar të PS.

Ministri akuzoi qeveritë paraardhëse për keqmenaxhim të projekteve të rrugëve kombëtare.

Gjiknuri: "Edhe në Kukës-Morinë u nis me rrugët dhe u lanë për në fund urat. Do ta përfundojmë atë segment me 11 mln euro. Këto janë kosto të projektetve të menaxhuara keq të qeverisjes së kaluar".

Për rrugën Tiranë-Elbasan Gjiknuri premtoi përfundimin e saj brenda vitit pas sigurimit të fondeve të nevojshme.

Gjiknuri:  "Kemi marrë konfirmim për financimin shtesë për pjesën e 14 mln dollarë që do të hidhen për të përfunduar segmentin nga zona e Ibës në Tunelin e Elbasanit. Brenda këtij viti edhe ai aks përfundon plotësisht"

Gjiknuri tha se shumë shpejt do fillojë puna për rrugën e Arbrit e cila do të ndërtohet sipas skemës partneritet publik-privat.

Gjiknuri:  "Kontrata ka hyrë në fuqi. Para 3 ditësh kompania ka dorëzuar projektin e detajuar".

Sipas ministrit, brenda këtij viti do të mbyllet puna për bypass-in e Fierit, ndërsa për atë të Vlorës kërkohet më shumë kohë.

EMISIONET