Gjiknuri në SHBA: Zhvillimi ekonomik, prioritar për rajonin

Gjiknuri në SHBA: Zhvillimi ekonomik, prioritar për rajonin

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Uashington, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në një forum të organizuar në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë diskutimi çështjet e sigurisë dhe përspektivën integruese të vendeve të Evropës Juglindore.

Të pranishëm në forum ishin senator, kongresmenë dhe përfaqësues të vet vendeve të Evropës Juglindore të cilët shkëmbyen pikëpamjet për sfidat me të cilat përballet ky rajon.

“Kryefjala ku përputhen të gjitha qëndrimet është që nëse duam të shkojmë tek rrënja e problemit dhe duam të kemi një situatë me përspektivë stabiliteti në rajonin e Ballkanit, kjo ka të bëjë mbi të gjitha me zhvillimin ekonomik dhe integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Në këndvështrimin e tij, zhvillimi ekonomik, interkonektiviteti dhe procesi i Berlinit është një instrument për angazhimin e të gjitha vendeve të rajonit drejt ndërlidhjes më të madhe ekonomike, pra në infrastrukturë, në energji e në tregje, që ky rajon të trajtohet si i tërë, si pjesë e ardhshme e Bashkimit Evropian.

“Sot patëm lajmin që në strategjinë e Bashkimit Evropian del e qartë që vendet e rajonit duhet të integrohen, pavarësisht se mund të ketë pikëpamje të ndryshme për shpejtësinë me të cilin ecin këto vende. Ajo çka është më e rëndësishme është se të gjitha vendet po bëjnë përpjekje, janë duke u angazhuar. Ka dhe vështirësi dhe Bashkimi Evropian këtu është për të ndihmuar përmes strategjisë së qartë dhe mbështetjes financiare për të tejkaluar ato defiçenca të trashëguara në infrastrukturë që kanë vendet e rajonit”, nënvizoi Gjiknuri.

Në forumin e zhvilluar në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë Elona Gjebrea, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi.

EMISIONET