Gjatë takimit të ministrave të Transportit të Ballkanit në Slloveni, ministri Damian Gjiknuri theksoi se qëllimi i forumit ishte mbështetja e iniciativës së Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera përsa i përket sigurisë rrugore dhe menaxhimin e kufijve. Në këta takim, Gjiknuri prezantoi projekte në infrastrukturë ndërsa BE ofroi mbështetje financiare për adresimin e “hot spot-eve” rrugore të identifikuara në Europën Juglindore.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri prezantoi në Lubjanë, në takimin e ministrave të transportit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, projektet e qeverisë shqiptare përsa i përket sigurisë rrugore, si edhe projektet e zhvillimeve në infrastrukturë.

“Rasti i Shqipërisë me vendet fqinje u mbajt si model i mirë në këtë drejtim. Mu dha rasti të prezantoj projektet e qeverisë shqiptare përsa i përket sigurisë rrugore por mbi të gjitha edhe projektet e zhvillimeve në infrastrukturë. Shpjegova edhe skemat e mbështetjes financiare nëpërmjet Partnerit Publik Privat si një nga format e përmirësimit të infrastrukturës në vend, çka u përmend edhe nga komisionerja. Gjithashtu, u fol edhe për një fond të Bashkimit Europian, që e mori përsipër komisionerja, për ta adresuar të gjitha ‘hot spot-et’, ato që quhen vende të rrezikshme, të gjitha nyjet e identifikuata të transportit në Evropën Juglindore”

Në forumin e inicuar nga Komisionerja Evropiane Transportin Violeta Bulc u bashkua edhe Turqia ndërsa të pranishëm në tryezë ishin dhe përfaqësues nga vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Rumania dhe Qipro. Ndërkohë, në përfundim të takimit, ministrat u dakordësuan për dy deklarata që kishin për bazë angazhimin e përbashkët në rritjen e sigurisë rrugore ashtu sikurse lehtësimin e kalimit kufitar.

/Ora News.tv/