Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në dokumentin që Ora News ka parë, thuhet se Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi ku 15 gjyqtarë dhe prokurorë të rangut të lartë janë dorëhequr dhe 1 gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese u shkarkua.

Sipas këtij dokumenti, në dritën e progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat për pranim të hapen me Shqipërinë.

Mbajtja dhe thellimi i momentumit aktual të reformave në fushat kyçe të sundimit të ligjit, në veçanti për të gjithë pesë prioritetet kyçe dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për negociimin e kapitujve mbi gjyqësorin, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

Sa për kriterin politik, Komisioni Europian konsttaton se në vend ka një polarizim të fortë politik duke përmendur bojkotin e opozitës në vitin 2017, i cili solli shtyrjen e caktimit të anëtarëve të vettingut.

Shqipëria ka një përgatitje të lehtë për luftën ndaj korrupsionit por numri i dënimeve për zyrtarët e lartë mbetet i ulët. Në luftën kundër krimit të organizuar, Komisioni përshëndet bashkëpumimin e prokurorisë me policinë si dhe vlerëson progresin e dukshëm në luftën kundër kanabisit.

Vazhdon të mbetet problem goditja e aseteve financiare e grupeve kriminale dhe duhen më shumë përpjekje për të luftuar pastrimin e parave dhe pasurinë e pajustifikuar.

Problemi i azilkërkuesve është ende serioz. Komisioni Europian e vlerëson si të lartë numrin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE.

Edhe pse përpjekjet e Shqipërisë kanë dhënë rezultate pozitive BE kërkon më shumë aksione për të zgjidhur këtë çështje, duke përfshirë edhe kornizën ligjore të mekanizmit të monitorimit të post-liberalizimit të vizave.

Shqipëria gjithashtu ka marrë pjesë në bashkëpunimet rajonale dhe ka mbajtur një fqinjësi të mirë, duke nënvizuar hapat e rëndësishëm për të zgjidhur çështjet dy palëshe me Greqinë.

Për sa i përket ekonomisë, niveli i papunësisë është ende i lartë edhe pse ka shënuar rënie.

Kreditë e këqija kanë rënë por kreditë që bankat u japin bizneseve mbeten të ngadalta.

Shqipëria ka nevojë për përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të luftojë ekonominë informale.

 

/Ora News.tv/