Sanksionet e ShBA-së ndaj Iranit kanë hasur kundërshtinë e Gjermanisë dhe të Turqisë, vetëm një ditë pasi hynë në fuqi. Ministri i Jashtëm i qeverisë së Berlinit tha të hënën (5 nentor) se po punon me aleatët evropianë për të garantuar vazhdimin e tregtisë së naftës me Teheranin. Kryediplomati  Heiko Maas u tha gazetarëve se fundosja e ekonomisë iraniane do të forcojë radikalët.

"Ne e konsiderojmë të gabuar këtë hap. E kemi thënë muajit e kaluar se Gjermania është dakord me Francën dhe Britaninë dhe po punojmë për një instrument të ri për të garantuar vazhdimin e tregtisë me Iranin. Ne jemi plotësisht të bindur se marrëveshja e vitit 2015 e ndalon Iranin të pasurojë uranium për qëllime ushtarake," tha Mass.

Kundër sanksioneve amerikane ka dalë edhe Turqia. Presidenti Tayyip Erdogan tha të martën se vendi i tij nuk do t’u bindet sanksioneve mbi naftën dhe sektorin e lundrimit.

"Ne nuk mendojmë se sanksionet janë të drejta. Besojmë se këto sanksione synojnë të krijojnë “një botë të pabarabartë”. Ato dalin kundër ligjit ndërkombëtar dhe diplomacisë,” tha kreu turk.

 Komentet e Erdogan-it erdhën një ditë pasi Uashingtoni rivendosi sanksionet ndaj Iranit. ShBA-ja ka lejuar përkohësisht disa vende të vazhdojnë blerjen e naftës bruto të Iranit.

/Ora News.tv/