Për zëvendës/dekanin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Agron Gjekmarkaj, gjuha që përdori sot kryeministri Rama në takimin me pedagogët e Universitetit të Tiranës ishte shantazhuese dhe intimiduese.

Në një intervistë për Ora News, ai thotë se Rama mori peng Senatin e këtij Universiteti.

Gjekmarkaj: Nuk e kanë përdorur kurrë pedagogët e Forumit për Liritë Akademike termin ultimatum, asnjëherë. Dëgjova që kryeministri na ka quajtur bishti i kavallit, në fakt dua të them se Kryeministri sot u soll si bishti i etikës, çfarë ne nuk e prisnim.Kam respekt për Kryeministrin e vendit tim se është institucion por nuk e kam frikë për asnjë çast Kryeministrin e vendit dhe nuk pranoj të përqeshem dhe të tallem nga kryeministri i vendit tim.Sot skena ishte vërtet e mjerueshme, në njëfarë mënyrë ai mori peng Senatin e Universitetit të Tiranës dhe gjuha që përdori ishte intimiduese, shantazhuese, ishe një gjuhë e papranueshme për trupën akademike të Universitetit të Tiranës.

Ai thotë se nuk kishte ftesë për takimin por edhe nëse do të ishte e kundërta nuk do të shkonte.

Gjekmarkaj: Ne nuk kishim një ftesë formale për të qenë të pranishëm por edhe nëse do ta kishim ne nuk do të shkonim në një takim të tillë, ne kemi ekspozuar problemet tona, kemi kërkuar të ndajmë përgjegjësitë, kemi kërkuar që të negociojmë me qeverinë, të hapim një debat të brendshëm për të gjitha problemet që shqetësojnë Universitetin e Tiranës, një debat me shoqërinë, me qeverinë për ta përmirësuar dhe bërë më modern, për ta përshtatur me bashkëkohësinë Universitetin e Tiranës.

I pyetur nëse e kërkojnë zgjidhjen tek qeveria për problemet e menaxhimit të brendshëm, ai ka këtë përgjigje:

Gjekmarkaj: Qeveria ka detyrim të bëjë një ligj funksionues për Universitetin e Tiranës, sepse ligji ka 2 vjet e gjysmë pa akte nënligjore. Nuk themi që ligji është terësisht i keq, por në një pjesë të tij ka dështuar.Kryeministri tha se ligji nuk ndryshohet, ligji nuk është një piramidë si piramidat e Egjiptit, është i shkruar nga njerëzit për tu shërbyer njerëzve dhe kur ka diçka që nuk funksionon ligji përmirësohet, ligji ndryshon dhe ligji vihet sërish në shërbim të komunitetit. Edhe Ramiz Alia insistonte se nuk do ti hiqej kurrë emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës por jo vetëm iu hoq emri por ra edhe monumenti i Enver Hoxhës pa javë më pas.

Gjekmarkaj instiston për dialog.

Gjekmarkaj: Ne presim që qeveria dhe kryeministri të reflektojnë dhe të ulen të bisedojnë sepse vetëm pardje u mblodhën rreth 130 pedagogë të Universitetit të Tiranës që ishte një organizim i shpejtë aty për aty, mendo që pas disa ditësh do të kemi shumë më tepër. Jo kaq shumë, por sikur të ishin 10 pedagogë si fuqi intelektuale që janë Kryeministri duhet ti dëgjojë.Ata bartin një shqetesim që është akumuluar prej vitesh dhe kërkon zgjidhje.

Ligji ka probleme dhe defekte, një pjesë të problemeve dhe kontraditave që janë në Universitetin e Tiranës i ka krijuar fakti që ky ligj është i paaplikueshëm.Bordi i Administrimit, një Bord që ka dështuar për ta administruar fakultetin me përfaqësues që ka qeveria në të, me përfaqësues që janë zgjedhur nga Senati. Nuk është fundi i botës nëse një Bord ndërrohet me një Bord tjetër dhe ky Bord dorëhiqet ose shkarkohet dhe një Bord tjetër zgjidhet nga Senati i UT. Vetëm buxheti i UT vitin që shkoi për investimet janë konsumuar në masën 9% sepse kanë funksionuar gjithë këto masa bllokuese.

/Ora News.tv/