Gjashtë fëmijë me leucemi mund të trajtohen falas në Athinë çdo vit

Gjashtë fëmijë shqiptarë në vit të diagnostifikuar me leucemi e tumore malinje dhe që kanë nevojë për transplant të palcës ose raste të komplikuara që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar do të kenë mundësi të trajtohen në Greqi.

Këta fëmijë do të kenë trajtimin falas në spitalin Aghia Sofia në Athinë.

Kjo falë një marrëveshjeje të binjakëzimit të spitalit Anghia Sofia dhe QSUT.

Marrëveshja u firmosur sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu në këtë spital të fondacionit “Elpida - Marianna V. Vardinoyanis”

 “Kjo marrëveshje krijon mundësinë për trajtimin në këtë spital të 6 fëmijëve shqiptarë në vit, të diagnostikuar me leucemi, që kanë nevojë për transplant të palcës ose raste të komplikuara që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar”, tha Ministrja Manastirliu, e cila ishte në një vizitë zyrtare në Greqi.

Presidentja e Fondacionit Elpida znj. Marianna V.Vardinoyanis garantoi mbështetjen për fëmijët shqiptarë, për trajtimin falas në spitalin Aghia Sofia në Athinë.

 “Me këtë marrëveshje hapin një erë të re bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke përcjellë mesazhin te familjet këtej dhe andej kufirit se ka një shpresë për trajtimin e fëmijëve me kancer që kanë nevojë për transplant të palcës”, u shpreh presidentja e Fondacionit “Marianna V. Vardinoyanis”.

Pjesë e delegacionit me ministren Manastirliu ishte dhe Zv. drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit "Nënë Tereza" Mirela Hasanaj dhe Shefja e Shërbimit të Onkologjisë Pediatrike prof. Anila Godo.


Memorandum bashkëpunimi

Dy Ministrat e Shëndetësisë firmosën në Athinë memorandumin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 “Me këtë memorandum bashkëpunimi hedhim një hap përpara për forcimin e ndërveprimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona. Më konkretisht, për shkëmbimin e përvojave në fushën e onkologjisë për fëmijët, për menaxhimit spitalor, për trajnimin e personelit shëndetësor dhe shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në kuadër të projekteve rajonale në fushën e shëndetësisë", u shpreh Ministrja Manastirliu.

“Kemi shumë gjëra që na bashkojnë dhe ky memorandum bashkëpunimi është një urë lidhëse për të intensifikuar bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, për trajtimin sa më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve tona, që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, u shpreh Ministri I Shëndetësisë i Republikës së Greqisë, z. Andreas Ksanthos.

Në fund të takimit dy ministrat e Shëndetësisë të Greqisë dhe Shqipërisë u vlerësuan me cmimin e solidaritetit për kontributin e cmuar në fushën e shëndetësisë.






EMISIONET