Furnizimi me ujë, Veliaj: Dyfishojmë kapacitetin e Bovillës

Furnizimi me ujë, Veliaj: Dyfishojmë kapacitetin e Bovillës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka premtuar se do të dyfishohen kapacitetet e Bovillës dhe do të ndërtohet një linjë e re për ujin e pijshëm në zonën e Unazës së Re.

Deklaratat e kryebashkiakut u bënë në konferencën më të madhe ballkanike për ujin që u organizua në Tiranë.

Tirana mikpriti sot konferencën dhe ekspozitën më të madhe ballkanike për ujin, ku ekspertë dhe politikëbërës nga shumë vende të Europës ndanë përvojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rajonin tonë.

Veliaj: Në Bashkinë e Tiranës kemi filluar një seri ndërhyrjesh me kolegët hungarezë, me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Kemi filluar dy ndërhyrje të rëndësishme për qytetin tonë: së pari, për dyfishimin e të gjithë kapacitetit në zonën e Bovillës, ku kemi shtuar filtrimin, e mandej për të lidhur një linjë direkte në disa nga zonat me banorë të rinj të Tiranës, duke nisur nga Sheshi “Shqiponja”, deri te Fabrika e Mielit, që njihet si zona e Unazës së Re; një zonë e cila në letra ka 7 mijë banorë, por në realitet është 70 mijë banorë.

Gjatë këtyre 3 dekadave në kryeqytet është 5-fishuar numri i popullsisë e për rrjedhojë dhe nevoja për ujë. Ndaj, theksoi Veliaj, çështja e ujit nuk duhet konsideruar si një mall politik apo një sipërmarrje për punësimin e militantëve. Kryebashkiaku tha se një nga mësimet më të rëndësishme ka qenë depolitizimi i ndërmarrjeve të Ujësjellësit, duke e rikthyer në eficencë.

Veliaj: Uji është mall komercial, jo mall politik; shpeshherë në rajonin tonë kjo është ngatërruar. Është trajtuar si një mall politik dhe shumë prej Ujësjellës-Kanalizimeve janë kthyer në ndërmarrje ku “parkohen” militantët, me një eficiencë shumë të ulët pune. Më vjen mirë që kjo ka nisur të ndryshojë dhe besoj se këtu duhet të mësojmë që ujin ta trajtojmë, së pari, si një mall komercial, që ka vlerë në treg, që ka një kosto prodhimi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos abuzojnë me këtë pasuri të përbashkët.

EMISIONET