COD në Kryeministri, hapi ekspozitën “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981 – 1991”, të fotografit të njohur francez Michel Setboun. 

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të kulturës, artit, medias, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, përfaqësues të lartë të institucioneve publike dhe bashkësive fetare në vend.

 Ceremonia u hap me fjalën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, znj. Eridana Çano, e cila u shpreh se është kënaqësi e veçantë që në hapësirat e COD prezantohet ekspozita e një artisti të jashtëzakonshëm siç është Setboun, “i cili na nderon edhe më tepër me praninë e tij”. 

Ajo cilësoi se “Kjo ekspozitë është domethënëse për të gjithë shqiptarët që e jetuan atë kohë, sepse ishte e paimagjinueshme që dikush në Shqipëri të merrte guximin të dokumentonte kaq vërtetësisht realitetin shqiptar të asaj periudhe dhe akoma më mbresëlënëse, për brezat që nuk e kanë jetuar dhe tanimë e treguar me fjalë, mund të duket e largët apo më keq akoma absurde dhe e paqenë”. 

Në mbyllje të fjalës, falënderoi ekipin COD dhe të gjithë bashkëpunëtorët për punën profesionale në realizimin e kësaj ekspozite. Michel Setboun, në fjalën e tij shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan realizimin e kësaj ekspozite. 

“Për mua gjëja më e rëndësishme është që kjo ekspozitë ndodh këtu, pikërisht në vendin ku këto foto janë shkrepur. Është si një album familjeje ku secili gjen dikë a diçka familjare”. Më tej, kujtoi kohën kur për herë të parë kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1981, dhe vështirësitë dhe këmbënguljen për t’u rikthyer. “

Njerëzit harrojnë shumë shpejt - tha artisti - e shpresoj që kjo ekspozitë t’i shërbejë më së shumti të rinjve, si një dëshmi e historisë, si një ekspozitë e shpresës dhe e jetës që brezat e rinj të kuptojnë nga vijnë. 

Kjo ekspozitë dhe rikthimi në Shqipëri i Michel Setboun, ka nxitur idenë e një projekti të ri mbi gjurmimin dhe pasqyrimin e transformimit të personazheve në fotot e kësaj ekspozite. 

Ekspozita u kurua nga Genti Gjikola në bashkëpunim me Eleana Zhako. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun, deri më 2 shtator 2018.

/Ora News.tv/