E enjtja parlamentare sot ka përfshirë edhe sportin. Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka folur në një interpelancë të kërkuar nga deputeti socialist, Erion Braçe, në lidhje me ligjshmërinë fiskale të FSHF-së. Mes diskutimeve dhe thumbave të cilat janë duartrokitur nga Deputeti Bashkim Fino, ish-kandidat për postin e presidentit të FSHF diskutimi është ndalur tek detyrimet që institucioni i futbollit paguan në shtet si tatimi mbi të ardhurat dhe 10% që i takon buxhetit nga e drejta televizive që federata ka fituar 10 vitet e fundit.

Deputeti Braçe që njihet edhe si një kundërshtar dhe kritik i hapur ndaj presidentit aktual Duka ka diskutuar ashpër në lidhje me të ardhurat që duhet të mblidhen nga FSHF duke akuzuar Ministrin Ahmetaj se nuk duhet të bëhet asnjë tolerim ndaj të mëdhenjve ndërkohë që nuk kurseu askush nga forca e ligjit. Duke thumbuar si gjithmonë në adresë të Dukës, Braçe ka vënë theksin se FSHF nuk duhet të ketë imunitet ndaj detyrimeve tatimore.

Ndërsa pas gjithë akuzave dhe fjalës së Braçes në Parlament ka reaguar menjëherë dhe FSHF e cila jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.


Deklarata e plotë: 

FSHF si gjithmonë, ndjek me vemendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cënojnë standartet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika.

Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduse por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të nje segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.

FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.

 Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA.

/Ora News.tv/