Selami Jenisheri, i cili u betua të enjten e shkuar në kuvend si deputet nuk ka treguar të vërtetën mbi të kaluarën e tij në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Siç shikohet në Formularin e Dekriminalizimit të dorëzuar pranë KQZ, deputeti më i vjetër ne moshë dhe Kryetar i Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.

RTV Ora, ka siguruar vendimet gjyqësore të formës së prerë që tregojnë se Selami Jenisheri është i dënuar për veprën penale të mashtrimit të parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, me 8 muaj burgim, nga Gjykata e Shkodrës.

Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata e Lartë, siç tregon edhe vendimi i kësaj të fundit.

Dokumentet e siguruara nga Televizioni Ora provojnë se Jenisheri nuk ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë në formular edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të vetëdeklarimit.

Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016 përmban një rubrikë ku detyrimisht pasqyrohet se “.... pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të, pa sjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik” dhe se fshehja e dënimit përbën veprë penale të “falsifikimit të dokumentit”.

Nga praktika e konsoliduar e Seksionit të Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fakti që në Formular, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e bën këtë subjekt, të përfshihet në kushtet e ndalimit duke passjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

Nga ana tjetër, organi i prokurorisë ka detyrimin që në këtë rast të nis hetimet për falsifikimin e dokumenteve, sic është vepruar edhe me ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza për të cilin u kërkuan 18 muaj burg në gjykatë. Mesa duket Jenisheri, duke fshehur dënimin, jo vetëm nuk do të sigurojë mandatin e deputetit, por duket se i ka hapur vetes edhe njëherë probleme me drejtësinë.


/Ora News.tv/