Pasi Maqedonia lëshoi alarmin për epideminë e fruthit, masat për parandalimin e tij janë ndjerë edhe në vendin tonë. Çerdhet dhe kopshtet kanë vendosur rregullore me disa pika, ku refuzojnë të pranojnë në këto institucione fëmijë të prekur nga fruthi apo gripi. Ndërsa, ISHP thotë se Shqipëria nuk ka epidemi fruthi dhe se vaksinimet po kryhen edhe për ata edhe ata që nuk janë në kalendar vaksinimi

Periudha e dimrit rikthen shqetësimin dhe vëmendjen për gripin dhe fruthin në vendin tonë. Kujdesi më i madh iu kushtohet fëmijëve. Pas alarmit nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni, e cila shpalli epideminë e Fruthit në territorin e Qytetit të Shkupit për shkak të 12 rasteve të reja të të prekurve, edhe vendi ynë nis të marrë masa.

Këto masa janë marrë së pari nga çerdhet dhe kopshtet, të cilat kanë vendosur një rregullore të shkruar, ku thotë që të mos pranohen në këto institucione fëmijët që kanë simptomat e fruthit apo sëmundjeve respiratore.

Rregullorja kërkon që të bëhet filtri i përditshëm në çdo grup fëmijësh dhe të komunikohet me mjekun, të shmanget sa më shumë të jetë e mundur frekuentimi në këto kohë e urgjencës pediatrike të QSUT dhe fëmijët këshillohen, që ta marrin shërbimin pranë qendrave shëndetësore. Por cilat janë këshillat që japin mjekët? Mjeku pediatër Bektash Mandri tregon se duhen shmangur ambientet e populluara.

Bektash Mandri: Rekomandoj që të shmangen qendrat e mëdhaja dhe të lahen duart mirë me sapun.

Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik thotë se Shqipëria nuk është prekur nga epidemia e fruthit. Gjatë vitit janë monitoruar, vaksinuar edhe ata që nuk janë në kalendar vaksinimi, por që mbulesën vaksinale për fruth e kanë të vogël.

/Ora News.tv/